Mota kryqëzohet pas barazimit në Leçe, Juventusi s’ka më alibi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2024 | 0:06

Mota kryqëzohet pas barazimit në Leçe, Juventusi s’ka më alibi!

Nëntë mungesa janë shumë, është e vërtetë, por për Juventusin emergjenca nuk mund të jetë kurrë një alibi. Sidomos kur përballë ka një skuadër si Leçe që është ende në kërkim të identitetit të saj. Juvja zbret në fushë me lojtarë si Konseisao, Kompeiners, Jildiz e Ueah, prandaj emergjenca nuk mund të jetë një alibi.

tiago mota

Emrat e sipërpërmendur duhet që të bëjnë Leçen të dridhet, të dominojnë takimin, por në sfidën e fundit bënë të kundërtën. Ecje kot në fushë dhe që nuk reagojnë si duhet, sidomos kur vijë pas dy barazimeve radhazi. Ndeshja me Leçen duhej fituar me çdo kusht, por Juventusi nuk ia arriti dot.

RASTET- Me përjashtim të dy rasteve të rrezikshme ku topi u ndal nga shtylla, Juventusi nuk arriti dot të prodhonte mjaftueshëm ndaj Leçes. Lojtarët dukeshin të papërqendruar në kontrollin e topit, nuk vertikalizonin dot si duhet, i mungonte qartësia dhe mbi të gjitha nuk ishin të shpejtë. Dukej si një Juventus mekanik, i ngadaltë dhe me pak kualitet pavarësisht emrave të rëndësishëm që zbresin në fushë.

REPARTI OFENSIV- Pavarësisht dy shtyllave dhe një Kambiazoje që bën gjithçka, në Leçe djemtë e Tiago Motës konfirmojnë edhe njëherë se kanë shumë vështirësi në fazën ofensive. Qendra e sulmit dhe tre lojtarët mbështetës po tregojnë çdo ditë e më shumë limitet që kanë. Pasimet e qarta nga Kopmeiners që mund të nxjerrë në pozicione të favorshme shokët e skuadrës mungojnë. Jildiz dhe Konseisao sado që mundohen në krah, prodhojnë me pikatore. Për më tepër aksionet e tyre duken më shumë lëvizje individuale se sa të një skuadre.

ZHGËNJIMI- Megjithatë, lojtari që po zhgënjen më shumë është padyshim Teun Kopmeiners. I afruar me shumë përpjekje nga Mota dhe Xhuntoli, mesfushori holandez po zhgënjen shumë. Pasimet e tij nuk janë kurrë kyçe për këtë Juventus, madje ndonjëherë i ul ritmin e lojës fazës sulmuese. Ai duket sikur më shumë po prish punë se sa po e rregullon.

Në fund duket si një Juventus pa një plan të qartë loje në sulm. Mungesa e Vlahoviç po tregon edhe më shumë defektet që “Zonja e Vjetër” ka kur nuk ka një pikë reference përpara. Megjithatë, nëse ndaj Aston Vilës dhe Milanit barazimet mund të justifikoheshin duke parë edhe koeficientin e vështirësisë së kundërshtarit, ndaj Leçes duket sikur të gjitha alibitë kanë rënë.

Mota tashmë ka për detyrë të gjejë një zgjidhje sa më parë, të tregojë se mund ta bëjë Juventusin produktiv edhe në momente vështirësie. “Zonja e Vjetër” është 6 pikë larg nga kreu, me vetëm 14 javë të luajtura. A mund të pretendohet për titull nëse vazhdohet kështu? Muaji i mjaltit për Motën tashmë ka mbaruar dhe kritikat po fillojnë të shtohen.

Përgatiti: OREST FLOKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"