Moshat U-19/ Vllaznia dhe Teuta, “koka” grupi. Nisin ethet e “play off” për titullin
Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti ndeshjet e javës së 26-të. “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:
Tirana, një hap larg “play off”-it
Superndeshje për një vend në “play off”. Një gol i Gjumsit nga penalltia ka nderuar Tiranën e Alpin Gallos kundër Shkëndijës. Derbi ka qenë shumë i luftuar, për më tepër që të dyja skuadrat duan të sigurojnë një vend në katërshen e parë, në mënyrë që të jenë në fazën “play off”, aty ku do të diskutohet titulli kampion. Tashmë pas triumfit minimal ndaj Shkëndijës, bardhebluve të rinj u duhet edhe një pikë në ndeshjen e javës së fundit për të siguruar matematikisht katërshen. Si për ironi të fatit, Tirana e mbyll kampionatin e rregullt me derbi kundër Partizanit, që do të luhet të hënën në orën 12:00 në kompleksin “Skënder Halili”. Sa i përket takimit me skuadrën e shkollës së futbollit “Loro Boriçi”, që në minutën e 4-t bardheblutë fituan një penallti pas prekjes së topit me dorë nga Ruçaj. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Gjumsi. Me rezultatin 0-1 u mbyll gjithçka, pavarësisht nga përpjekjet e të dyja skuadrave për të ndryshuar shifrat. ABDULLA DUSHKU
Spektakël i shkodranëve
Vllaznia është treguar e pamëshirshme edhe kundër Internacionalit, duke e mbyllur si kampione në Grupin A një javë para fundit të kampionatit. Shkodranët shënuan plot gjashtë gola, ku protagonist absolut ishte Ardit Nikaj me tripletë. Madje, ky i fundit humbi edhe një penallti. Golat e tjerë u realizuan nga Paloka dhe Musaraj që bëri dopietë. ADMIR URUÇI
Laçi shtang Partizanin
Laçi shtang Partizanin, duke i marrë një pikë në fund. Të kuqtë e drejtuar nga Reinaldo Kalari shënuan që në minutën e 29-të me anë të Koldashit. Në pjesën e dytë arritën të dyfishonin shifrat me Nikollën, mirëpo kurbinasit befasuan në 7 minutat e fundit. Lleshi rihapi takimin, ndërsa në minutat shtesë goli i Farrukut vulosi shifrat 2-2. ABDULLA DUSHKU
Goleadë në Durrës
Nëntë gola, spektakël dhe Dashi që bën heroin si zëvendësues duke shënuar tripletë. Teuta është zyrtarisht kampionia e Grupit B për të rinj dhe tashmë pret fazën “play off” për të synuar titullin kampion të U-19. Ndaj Butrintit ka qenë e vështirë, pasi miqtë shënuan katër herë. Brahimi bëri tripletë, por as kjo nuk mjaftoi për një pikë. ZAMIR QYPI
Skënderbeu, në katërshe
Skënderbeu feston ndaj Apolonisë kampione në fuqi dhe siguron një vend në katërshe një javë para fundit të kampionatit. I mjaftuan dy minuta ekipit korçar për të bërë diferencën ndaj fierakëve. Hysolli dhe Zguri shënuan dy gola të shpejtë, duke shokuar miqtë. Më pas ishte Venko që trefishoi, ndërsa goli i Mezanit vlejti për statistikë për Apoloninë. LLAZI SARO
Elbasani, leksion Besës
Besën e “zë vapa”, ndërsa Elbasani i jep leksion me pesë gola. Kavajasit e nisën mirë, pasi pjesën e parë e mbyllën 1-0 falë golit të Mustës. Mirëpo, për çudi, në pjesën e dytë elbasanasit u shndërruan dhe dominuan takimin. Bezati barazoi, ndërsa R.Musta, A.Gjolena dy herë dhe Kushta i dhanë fitoren skuadrës mike me golat e tyre. FERIZ FERIZAJ
Shkëlqen Pogradeci
Të rinjtë e Pogradecit bënë një superndeshje kundër moshatarëve vlonjatë, duke ndezur shpresat për të dalë nga zona e “play out”-it, edhe pse mbetet për t’u luajtur vetëm një takim. Alinji shënoi një gol spektakolar në minutën e 27-të. Në pjesën e dytë Pera i vetëm përballë portierit dyfishoi shifrat, ndërsa Likollari mendoi për 3-0. REDI DANDALLAKU
Të dyja në “play out”
Shkëndija e Durrësit dhe Dinamo kanë luajtur një ndeshje sa për formalitet mes tyre, pasi sido që të ishte rezultati, asgjë nuk do të ndryshonte për fatet e skuadrave. Tashmë të dyja janë në zonën “play out” dhe qëndrimi i tyre në Superiore do të varet nga ndeshja shtesë me skuadrat e Grupit B, si Pogradeci dhe Football Republic. JULIAN HASA
Derbi s’ka fitues
Një ndeshje mjaft e bukur dhe e luftuar ka qenë ajo mes të rinjve të Football Republic dhe Akademisë së Futbollit ose e cilësuar ndryshe si derbi mes ekipeve të Redi Jupit dhe Alban Bushit. Skuadra e Akademisë kaloi e para në epërsi me anë të Erjon Sinës. Rastet kanë qenë të shumta nga të dyja, ndërsa Sula barazoi në minutën e 59-të. ABDULLA DUSHKU
Shënkolli do historinë
Shënkolli likuidon Shkodrën dhe është gati për të kërkuar titullin kampion këtë sezon për U-19. Skuadra e drejtuar nga Haris Lika ka siguruar një vend në zonën “play off” dhe do të tentojë të bëjë historinë pas suksesit që arritën në sezonin e kaluar 17-vjeçarët. Në ndeshjen ndaj Shkodrës diferencën e bënë golat e S.Markut dhe Kodrës. PRENG GJIKOLA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"