MOSHAT U-19/ Shkëndija super, Partizani shou. Thyhet Vllaznia, Football Republic ndalet nga Butrinti
Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti ndeshjet e javës së 17-të. “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:
Shkëlqejnë “demat”, likuidojnë Laçin
Gola, spektakël, nervozizëm dhe ndëshkime trajnerësh. Ndeshja e të rinjve mes Partizanit dhe Laçit i ka pasur të gjitha, teksa në fund të kuqve u ka buzëqeshur rezultati, pasi fituan 4-2. Që në minutën e 7-të ishte Dezhgiu që kaloi “demat” në avantazh, por skuadra e drejtuar nga Reinaldo Kalari nuk u ndal me kaq. Në minutën e 21-të ishte kapiteni Çarçani, që dyfishoi shifrat dhe pjesa e parë u mbyll 2-0 për të kuqtë. Mirëpo, nga minuta e 42-të, Partizanit iu vështirësuan gjërat, pasi u detyrua të luajë me 10 lojtarë. Nikolla mori dy kartonë të verdhë dhe kësisoj doli me të kuq. Në fraksionin e dytë të dyja skuadrat shënuan nga dy gola. Çarçani ishte në një ditë të shkëlqyer dhe në minutën e 58-të i çoi shifrat 3-0. Më pas është Stafa për kurbinasit, i cili shkurton rezultatin me penallti. Megjithatë, është Lita që shënon golin e katërt për të kuqtë dhe shuan shpresat e Laçit për të dalë me pikë. Goli i Farrukut në minutën e 87-të vlejti vetëm për statistikë. ABDULLA DUSHKU
Daija çmend Shënkollin
Shënkolli është treguar i pamëshirshëm në ndeshjen kundër Shkëndijës së Durrësit, duke shënuar plot 9 gola në portën e mbrojtur nga Isaku. Protagonist absolut i takimit ka qenë sulmuesi i talentuar Françesko Daija, i cili arriti një rekord në këtë takim, duke shënuar plot pesë gola. D.Marku, Kurti, Gjoka dhe Golemi ishin autorët e tjerë. PRENG GJIKOLA
Spektakël i Shkëndijës, bien shkodranët
Shkëndija e Tiranës i ka dhënë një leksion të vërtetë Vllaznisë kryesuese të grupit A, duke e mundur me rezultatin e thellë 4-0. Skuadra e drejtuar nga Shpend Kumbarçe arriti në katër ditë dy fitore radhazi, pasi përveç suksesit ndaj shkodranëve, në mesjavë mundi edhe Shënkollin 3-2 në takimin e prapambetur. Kjo ecuri fantastike e ngjiti ekipin e shkollës “Loro Boriçi” në vendin e tretë të grupit A. Ndaj Vllaznisë ka qenë një ndeshje mjaft e bukur, me vendësit që kanë shënuar në fraksionin e parë të lojës me anë të Konomit. Ndërsa pas pushimit, Shkëndija ka qenë e papërmbajtshme, duke befasuar shkodranët. Në minutën e 58-të Zuna shënoi nga pika e penalltisë, duke e çuar rezultatin 2-0. Kur pritej reagimi i miqve, Shkëndija goditi sërish me Sahitin dhe ky gol sikur e shpërfytyroi Vllazninë. Vendësit treguan një formë mjaft të mirë dhe nuk u ndalën me kaq, pasi në minutën e 75-të mendoi Goga për të vulosur triumfin e thellë. ABDULLA DUSHKU
Teuta i falet Dashit
Teutës iu deshën plot 86 minuta për të gjetur golin në ndeshjen ndaj Pogradecit. Skuadra durrsake ka vuajtur jo pak në ndeshjen e fundit të fazës së dytë, por megjithatë ka arritur të marrë tri pikë. Dominimi i ekipit të drejtuar nga Xhevahir Kapllani ka qenë i dukshëm, por vetëm në fund ka arritur të shënojë dhe kjo për meritë të Dashit. ZAMIR QYPI
Bind Skënderbeu
Mezani nderon fierakët
Apolonia i falet golit të Mezanit në Kavajë. Besa ka qenë e pafat, pasi krijoi shumë raste për gol, por nuk i konkretizoi para portës së fierakëve. Vendësit goditën edhe tranversën në pjesën e parë. Megjithatë, ishte Mezani në minutën e 58-të që nderoi miqtë. Reagimi i kavajasve ishte i mirë, por lojtarët verdhezi shpërdoruan shumë. FERIZ FERIZAJ
Rikthehet Flamurtari
Flamurtari rikthehet te fitorja. Ekipi i drejtuar nga Fjodor Xhafa ka mposhtur minimalisht Akademinë e Futbollit dhe fati i ndeshjes është vulosur që në minutën e 32-të falë një goli të Hoxhës. Edhe në pjesën e dytë vlonjatët ishin më kërkues, por nuk kanë shfrytëzuar momentet për shënim. Akademia e Futbollit bëri pak për të dalë me pikë. ERMAL SIKA
Butrinti ndal kryesuesit
Butrinti ka bërë surprizën e javës së fundit të fazës së dytë, duke ndalur në një barazim 2-2 në Sarandë skuadrën që kryeson grupin B, Football Republic. Miqtë e filluan mirë lojën dhe arritën përmes Teqjes të shënojnë dy gola në pjesën e parë. Mirëpo, pas pushimit sarandjotët treguan karakter, duke barazuar me Brahimin dhe Goron. TOMOR SHEHU
Internacionali, “zjarr”
Internacionali nuk fal ndaj Dinamos, duke shënuar plot 4 gola. Skuadra që drejtohet nga Olgert Muka ka marrë një fitore të bukur, duke mos e vënë asnjëherë në diskutim. Që në minutën e 2- të ishte Dhimitri që shënoi, por dinamovitët barazuam me anë të Alushit pas 20 minutash. Internacionali shpërthen më pas me Rushitin, Gjergjin dhe Bibon. ABDULLA DUSHKU
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"