Moshat U-19/ Goleadë e Vllaznisë dhe Tiranës, Partizani bie në Shënkoll dhe Teuta thyhet në Korçë
Bardheblutë shkëlqejnë kundër Laçit
Fitore e thellë e skuadrës së Gentjan Stojkut kundër Laçit. Që në minutën e parë bardheblutë shënuan dhe më pas nuk u ndalën, teksa portieri mik e nxori gjashtë herë topin nga rrjeta. Musaj dhe Qefalija bënë dopietë, ndërsa Blacerri e Gjuzi e zbukuruan fitoren e Tiranës. Musaj shënoi golin më të shpejtë, pasi vetëm 12 sekonda nga fillimi i takimit, goditi portën kurbinase dhe topi u ndal në rrjetë. Skuadra laçiane ishte në një ditë të errët dhe nuk pati forcë reagimi. Largimi i disa lojtarëve, qoftë në ekipin U-21 apo në akademitë e kryeqytetit, si duket e ka dobësuar Laçin. Portieri bardheblu, Leon Kozi, më shumë ishte në rolin e spektatorit. Tirana tregoi forcën brenda pjesës së parë, duke shënuar tre gola të shpejtë dhe mbyllur historinë e takimit. Megjithatë, kryeqytetasit u treguan të pamëshirshëm, pasi tre gola u realizuan edhe në pjesën e dytë. Javën e ardhshme bardheblutë do të luajnë derbin kundër Partizanit/ ABDULLA DUSHKU
Shkodranët, të pamëshirshëm në Durrës
Vllaznia shpërthen ndaj Shkëndijës së Durrësit në transfertë, duke shënuar plot 6 gola. Të rinjtë e drejtuar nga Luan Zmijani treguan një formë të shkëlqyer, ndërsa Shkëndija e kishte të pamundur të përballonte furinë shkodrane. Që në 10 minutat e para u mbyll gjithçka sa i përket historisë së rezultatit të këtij takimi. Alivoda dhe Smajli shënuan nga pika e bardhë e penalltisë dy gola shumë të shpejtë. 11-metërshat e dhënë në favor të Vllaznisë tronditën ekipin vendës, që më pas u shthur dhe pësoi edhe 4 gola të tjerë. Pa u mbyllur pjesa e parë ishte sërish Smajli që realizoi, e gjithashtu Musaraj. Në pjesën e dytë pati vend edhe për golat e Filipit dhe Mllojës. Shkëndija u mundua të shënonte golin e nderit, por as këtë nuk e bëri dot. Vllaznia la pak hapësira, ndërsa trajneri Zmijani pati luksin të bënte katër zëvendësime. Pas 13 javësh kampionat, kuqeblutë pozicionohen në vendin e parë të grupit A me 31 pikë/ ZAMIR QYPI
Vendos një penallti
Një penallti e kthyer në gol nga Françesko Daija i ka dhënë tri pikë të arta Shënkollit në ndeshjen ndaj Partizanit. Ka qenë një lojë shumë e fortë ajo mes dy skuadrave që pretendojnë vendet e para. Të kuqtë insistuan për të barazuar shifrat, por portieri Dani ishte në një ditë të mirë. Shënkolli pozicionohet në vendin e dytë pas 13 javësh/ PRENG GJIKOLA
Flamurtari gjen fitoren
Flamurtari i drejtuar nga Fjodor Xhafa ka marrë një trepikësh me vlerë përballë Besës në Vlorë. Pjesa e parë, pavarësisht rasteve, nuk ka prodhuar gola. Ndeshja do të zhbllokohej në fraksionin e dytë, kur Gegaj kalon në avantazh Flamurtarin në minutën e 59-të. Katër minuta më vonë do të dyfishonte Metani, për të vulosur triumfin 2-0/ ERMAL SIKA
Teuta bie në Korçë
Skënderbeu rrëzon nga kreu Teutën, duke marrë një triumf shumë të rëndësishëm. Pjesa e parë ka qenë shumë e fortë, edhe pse ka nisur me gol për korçarët që në minutën e 4-t me Vankon. R.Tepshi barazoi dhe skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me shifrat 1-1. Pas pushimit, Skënderbeu është më kërkues dhe shënon dy herë me Beçkën dhe Çuçkën/ LLAZI SARO
Shkodra thyen Dinamon
Shkodra thyen Dinamon me dy gola në pjesën e dytë. Pas një 45-minutëshi të ekuilibruar, miqtë ishin më konkretë pas pushimit. Kaçaj kaloi në avantazh Shkodrën, ndërsa blutë tentuan të reagonin, por shpërdoruan para portës mike. Shkodra përfitoi nga një kundërsulm në minutën e 70-të dhe shënoi golin e fitores 0- 2 me anë të Kodrës/ ABDULLA DUSHKU
Football Republic, super
Football Republic shkatërron Pogradecin dhe merr kreun e renditjes në Grupin B për të rinj. Skuadra e Erbim Fagut ka treguar një formë të shkëlqyer, duke realizuar 6 gola në portën e liqenorëve. Dermani hapi serinë e goleadës në minutën e 13-të, ndërsa më pas Sula bëri dopietë. Tenko realizoi një tjetër gol, për të vulosur Ndreu me dygolësh/ ABDULLA DUSHKU
Elbasani e bën festë
Elbasani ka marrë një fitore të madhe ndaj kampionëve në fuqi të Apolonisë. Serinë e golave e hapi Gjolena me fillimin e pjesës së parë, ndërsa Papa për miqtë shkaktoi autogol në portën e tij në fundin e këtij fraksioni. Në të dytën, Papa shlyen gabimin dhe ngushton shifrat, por deri në fund Elbasani mbron rezultatin dhe merr 3 pikët/ VLADIMIR MEMA
Dijar Nikqi bën heroin
Diar Nikqi, talenti nga Kosova që u largua nga Laçi dhe tashmë bën pjesë në Akademinë e Futbollit, ishte i papërmbajtshëm në ndeshjen ndaj Butrintit. Sulmuesi shënoi plot pesë gola, duke treguar edhe një herë se është një futbollist me shumë të ardhme. Sarandjotët nuk e rrezikuan asnjëherë portën e Markut dhe ndeshja përfundoi 5-0/ ABDULLA DUSHKU
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"