Miqësore me 4 gola, Maliqi dhe Sopoti masin forcën para startit të sezonit
Në pritje të kalendarit për sezonin e ri futbollistik, Maliqi dhe Sopoti zhvilluan ditën e djeshme një test miqësor në fushën sportive “Jovan Asko” të qytetit juglindor, që prodhoi plot 4 gola. Një përballje tepër e luftuar që përfundoi në barazim 2-2.
Te parët që kaluan në avantazh ishin miqtë nga Librazhdi në minutën e 17-të, me mesfushorin afrikan Amini, që pas një harkimi nga këndi goditi saktë me kokë brenda zonës, duke përshëndetur rrjetën. Në aksionin e fundit të pjesës së parë maliqarët arritën të gjenin baraspeshën, ku fati nuk ishte me mbrojtësin Ukaj të Sopotit, i cili shkaktoi autogol. Menjëherë pas këtij momenti skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjes për përfundimin e 45 minutave të para.
Në fragmentin e dytë të lojës, të dy trajnerët respektive kryen zëvendësime të shumta, ndërkohë që në minutën e 84-t, ishte sulmuesi brazilian Gabriele, i cili i hedhur nga stoli, goditi saktë me kokë brenda zonës, duke shënuar për 1-2.
Nuk vonoi shumë kundërpërgjigja e maliqarëve që gjetën baraspeshën me sulmuesi Flavio Demollari i cili “vulosi” shifrat në 2-2.
Vlen të theksohet fakti se Maliqi militon në Grupin B të Kategorisë së Dytë, ndërsa Sopoti në Grupin A. Të dyja skuadrat kanë pritshmëri të larta këtë sezon futbollistik.
Maliqi-Sopoti 2-2
Golat: Ukaj 45′ (autogol), Demollari 87′ / Amini 17′, Gabriele 84′
Maliqi: Almeida, Bregu, Blaceri, Agolli, Ndoci, Torollari, Pero, Muçollari, Tako, Demollari, Xaka. Trajner: E.Malësija. (U aktivizuan: Xheferson, Lipollari, Elmas, Samuel, Lipo, Shahinasi)
Sopoti: Hasfaltia, Seferi, Broshka, Ukaj, Ferati, Goçi, Amini, Tartari, Myslimi, Devole, Najara. Trajner: B.Kola (U aktivizuan: Mici, Reshka, Felipe, Polisi, Gurra, Gabriele)
Gjyqtar: E.Kotemelo, Sh.Shaholli, O.Sene (Korçë)
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"