Militao dhe Rydiger të paprekshëm për Ançelotin, priten rotacione në ndeshjen e ardhshme të Realit
Reali i Madridit e ka nisur mbrojtjen e titullit në La Liga me disa dritëhije pas barazimit kundër Majorkës në “Son Moix” (1-1) dhe fitores kundër Vajadolidit në “Bernabéu” (3-0) në një ndeshje të gatuar në një zjarr të ngadaltë nga Karlo Ançeloti.Skuadra e bardhë pati jo pak vështirësi për të çarë mbrojtjen e Vajadolidit, ku u pa e qartë se makineria sulmuese e treshesh Mbape-Vinicius-Rodrigo ka ende një rrugë të gjatë për t’u kolauduar. Ishin të ardhurit nga stoli, Brahim Diaz dhe Endrik që shënuan dy gola të vonë që lehtësuan Realin. Por as kjo fitore nuk fshehu problemet që skuadra vazhdon të vuajë. Ançeloti, megjithatë, ishte i kënaqur me përmirësimin në mbrojtje të ekipit të tij në krahasim me duelin kundër Majorkës në javën e parë.
Dyshimet, megjithatë, vazhdojnë të dëmtojnë evolucionin e skuadrës madrilene si në mesfushë ashtu edhe në sulm. Për momentin, e vetmja linjë që po tregon nivelin që i përgjigjet është mbrojtja. Madridi ka pësuar vetëm një gol në tre ndeshje dhe kjo flet mirë për paraqitjen e Kurtua dhe mbrojtësve, veçanërisht dyshja e formuar nga Militao dhe Rydiger. Braziliani dhe gjermani janë, për momentin, lojtarët që nuk kanë një zëvendësues natyral në skuadër.
Ata, së bashku me Valverden janë të vetmit lojtarë në skuadër që kanë luajtur çdo minutë kundër Atalantës, Majorkës dhe Vajadolidit. Ata do të jenë titullarë edhe ndaj Las Palmasit nesër në mbrëmje. Por ndaj Las Palmasit priten ndryshime nga Ançeloti. Kështu, Mendi ka shlyer dënimin e tij dhe do të kthehet titullar në të majtë të mbrojtjes, duke kthyer Fran Garsian në stol. Ndërkohë, që trajneri italian do t’i rezervojë një javë pushim Dani Karvahalit në të djathtë. Kështu që kundër Las Palmasit pritet që ai të bëjë stafetë me Lukas Vaskez.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"