Mesfushori Vrapi merr “krahun”: Vora ka vetëm një alternativë, ia dalim ndaj Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2024 | 13:37

Mesfushori Vrapi merr “krahun”: Vora ka vetëm një alternativë, ia dalim ndaj Korabit

Vora dy përballjet e fundit të këtij viti, kundër Korabit në shtëpi dhe Pogradecit si mysafir, duhet t’i mbyllë me fitore, në mënyrë që të ruhet vendi i parë. Mesfushori Jurgen Vrapi, që luan sezonin e tretë me vorakët, për “Panorama Sport” mes të tjerash u shpreh:

VORA FESTON

“Fitorja në Tropojë na dha disa mësime. Asnjë kundërshtarë nuk është i lehtë, e aq më shumë kur kryeson, ekipet kundërshtare sforcohen edhe më shumë kur luajnë kundër nesh. Në këto momente gjithmonë ne mendojmë të paktën për tri pikët, për ta mbyllur këtë vit në krye. Fillimisht kemi Korabin. Edhe pse kemi mungesa të rëndësishme, nuk kemi alternativë tjetër veç fitores. Nëse duam të mbajmë këtë vend në renditje dhe të ngjitemi në Kategorinë Superiore, na duhet fitorja. Jam i bindur se do ia dalim sërish. Korabi është përballur me dinjitet me çdo ekip pretendent, kështu që dhe kundër nesh dibranët do të luajnë edhe më mirë se Valbona.

Ne duhet të korrigjojmë gabimet e ndeshjes së Tropojës dhe t’ia dalim me sukses edhe në këtë takim të radhës. Çfarë ka ndryshuar tekniku Bellai? Nuk mund të them se kanë ndryshuar shumë gjëra. Përveçse na ka bërë më shumë optimistë dhe na ka shtuar besimin në veten tonë. Mendoj se profesori e njeh mirë Kategorinë e Parë dhe vlerën e të gjitha ekipeve. Dora e tij është ndjerë gjatë gjithë këtij sezoni, e aq më shumë do ndjehet edhe në këto dy takime të mbetura. Ai po punon në çdo aspekt për të arritur objektivin tonë, elitën. Te Vora kam gjetur veten dhe për këtë i falënderoj të gjithë duke filluar nga tifozët, shokët e ekipit, stafin dhe drejtuesit. Shpresoj që këtë sezon ta kurorëzojmë me ngjitjen në Superiore”.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"