Mesfushori mallakastriot i bindur: Kundër Skënderbeut nis kthesa e Bylisit
Ervis Kasaj këtë sezon po luan për here të parë edhe si titullar në Superiore. Te Bylisi, mesfushori me origjinë nga Mallakastra luan sezonin e pestë, teksa në Ballsh ka ardhur pa mbushur të 18-tat. Më pas është huazuar mes skuadrave të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, ndërsa tashmë që është në kulmin e karrierës, duke optimist dhe shpreson që të lërë gjurmë, ai dhe skuadra që këtë sezon ka në gjirin e vet shumë elementë të rinj dhe me perspektivë.
Mesfushori shpreson dhe beson se kjo periudhë pauzë do t’i vlejë shumë skuadrës që të rigjenerojë forcat, por edhe për t’u futur akoma më e konsoliduar në kampionat në vijimin e garës.
“Në aspektin personal ndihem i vlerësuar që po luaj e madje kam veshur edhe fanellën e titullarit në Superiore. Kampionati është i gjatë, gara është në kulmin e vet dhe Bylisi ka bërë mirë me lojë, por na mungon rezultati dhe në 3-4 sfida na ka munguar shumë fati, ashtu siç ndodhi edhe fundjavën e shkuar në kryeqytet me Partizanin. Ky është një kampionat që në sajë të strukturës, pika vlen shumë”, tha Kasaj. Më tej shtatlarti i mesfushës së ballshiotëve për “Panorama Sport” shtoi se ekipi do të ndryshojë.
“Ne jemi një skuadër që jemi rikthyer në elitë, kemi kualitet, por edhe elementë të rinj me shumë perspektivë. Na duhen sa më shumë pikë dhe duhet që të shfaqemi cinikë në takimet që ne luajmë. Kam besim dhe jam i sigurt, se do e rinisim garën ndryshe, me tjetër ‘marsh’ dhe do të kërkojmë kthesën që në sfidën e radhës, atë me Skënderbeun në kampionat. Prandaj edhe këtë periudhë po e shfrytëzojmë në maksimum dhe unë besoj shumë se ne vërtetë jemi një skuadër mjaft emirë dhe që nuk i meritojmë këto pozita”, tha Ervis Kasaj, mesfushori 25-vjecar i skuadrës mallakastriote.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"