Merkato mbushi infermierinë te Flamurtari, ja lojtarët që kanë ardhur me probleme në Vlorë
Flamurtari është një nga klubet e Kategorisë së Parë që ka investuar më shumë në merkaton e verës, ku deri tani janë kryer 15 afrime. Siç e kanë deklaruar edhe drejtuesit e lartë, klubi nuk e ka mbyllur Andrea Agostineli.Gjatë këtij procesi ka dalë se merkatoja ka mbushur edhe infermierinë në Vlorë. Sikur të mos mjaftonte humbja në ndeshjen e parë me Burrelin në Vlorë, si dhe presioni i madh i krijuar nga drejtuesit e klubit, opinioni futbollistik dhe sportdashësit, Flamurtari po përballet edhe me një situatë tjetër problematike dhe të vështirë, që ka të bëjë me dëmtimet. Të paktën tre lojtarë të afruar me bujë në merkaton e kësaj vere nuk janë të gatshëm për trajnerin Andrea Agostineli edhe për disa kohë. Kjo gjë duket se e ka bërë teknikun me “dhimbje koke”, pasi futbollistët që mungojnë për shkak të dëmtimeve apo problematikave shëndetësore nuk janë pak, por tre titullarë dhe lojtarë të rëndësishëm dhe me eksperiencë.
VALENTINO MURATAJ
Ish-kapiteni i Partizanit, Valentino Murataj, e ndoqi nga tribuna ndeshjen e parë me BurreLin. Mesfushori i qendrës ka ardhur i dëmtuar nga Partizani. Burime pranë klubit vlonjat pohojnë për “Panorama Sport”, se Murataj ka probleme me ligamentin kroçiat. Po të njëjtat burime zyrtare pranë klubit deklarojnë për “Panorama Sport”, se rikuperimi i tij kërkon kohë, që mund të thuhet një kohë e konsiderueshme. Murataj mund të qëndrojë larg fushës të paktën edhe për dy muaj. Në fakt, kjo është një periudhë relativisht e gjatë.
HUAN BOLANOS
Një tjetër lojtar me probleme është edhe Huan Bolanos. Qendërmbrojtësi ka edhe diçka më serioze dhe që ka shqetësuar jo pak stafin teknik dhe drejtuesit e klubit. Ai nuk po federohet nga FSHF-ja. “Panorama Sport” mëson se huan Bolanos nuk po kalon testin e biçikletës. Ai është duke bërë disa teste tek një mjek i njohur kardiolog në Vlorë, Metlli Deraj, por që po rezulton me parametra jo të duhur. Kjo gjë po e lë atë të pafederuar. Në Vlorë kanë frikën e një ngjarje si të asaj të Duamenës dhe nuk kërkojnë që të nxitohen. Qendërmbrojtësit do t’i bëhen edhe disa kontrolle të tjera për të vendosur më pas. Ai ka patur eksperienca në Kolumbi, Argjentinë, Kinë, Peru dhe Maltë, ku është aktivizuar pa shfaqur probleme.
ALBI ALLA
Një tjetër lojtar i dëmtuar te Flamurtari është edhe Albi Alla. Edhe mbrojtësi ka ardhur në Vlorë nga dëmtimi dhe është duke u riaftësuar. Gjasat janë që Alla mund të rikthehet shpejtë, por gjithsesi mbetet për t’u parë se si do të ecë faza e rikuperimit të tij. Mbrojtësi rezultonte në protokollin e ndeshjes kundër Burrelit, por duket se nuk ka qenë gati për lojë.
Ultimatumi për 3 fitore
Në Vlorë ka ultimatum. Kërkohen 9 pikë për t’i shpëtuar operacionit “fshesa”. “Panorama Sport”, zbulon nga burime pranë klubit vlonjat se ndeshjet me Erzenin, Vorën dhe Kukësin do të jenë vendimtare dhe nuk do të ketë asnjë tolerim për pikët e plota. Ndryshe nga sezonet e shkuara, këtë vit kërkohet me ngulm Superiorja, prandaj në rast të rezultateve negative në tri ndeshjen e radhës do të ndërhyhet menjëherë për të marrë masat.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"