Mensah plotëson ndryshimin, Tirana ka transformuar “paketën ofensive” të vitit të kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2025 | 22:50

Mensah plotëson ndryshimin, Tirana ka transformuar “paketën ofensive” të vitit të kaluar

Tirana nuk ka humbur kohë, për të gjetur zëvendësuesin e sulmuesit të larguar Emanuel Ernest, teksa së fundmi ka firmosur me Alfred Mensah, i cili dje largua nga Vllaznia, teksa do të nisë një aventurë te re te skuadra e Vangjel Miles.

tirana

Vlen të theksohet fakti se në të kaluarën Mesnah, ka qenë pjesë edhe e Skënderbeut dhe Partizanit, ku u shpall edhe kampion në vitin 2023 me “Demat e Kuq”. Në total 26- vjeçari numëron 144 prezenca në Superiore, ku ka shënuar 25 gola si dhe 19 ndeshje në Kupën e Shqipërisë ku ka gjetur 8 herë rrugën e rrjetës.

IKJA – Tirana ka zyrtarizuar largimin e radhës nga organika, duke shitur në Algjeri sulmuesin liberian Emanuel Ernest për një shifër prej rreth 150 mijë eurosh. Ky transferim shënon jo vetëm një lëvizje të rëndësishme financiare për klubin, por edhe fundin e një cikli në repartin ofensiv, i cili tashmë është shpërbërë plotësisht krahasuar me sezonin e kaluar. Ernest, që ishte bërë një pikë referimi në sulmin bardheblu, është i fundit i një “zinxhiri largimesh”. Përpara tij, skuadrën e kishin lënë edhe Zharmuni, Ndreca, Bajroviçi dhe Prenga.

STATISTIKAT – Të dhënat e sezonit të kaluar e bëjnë situatën edhe më të qartë. Nga pesë sulmuesit që u larguan, janë shënuar plot 32 gola nga gjithsej 44 që realizoi i gjithë ekipi (përfshirë edhe autogolat e kundërshtarëve). Pra, gati i gjithë produkti ofensiv bardheblu mbështetej te ky grup lojtarësh, duke e lënë ekipin shumë të varur nga kontributi i tyre. Kjo statistikë tregon se humbja e tyre nuk është thjesht një çështje merkatoje, por një boshllëk i thellë në fushë, i cili do të ndjehet në mënyrë të menjëhershme në sezonin e ri.

KUSH KA MBETUR – Aktualisht, nga sulmuesit e sezonit të kaluar kanë mbetur vetëm Abel Abah dhe Rimal Haxhiu. Performanca e tyre, megjithatë, ka qenë modeste. Abah ka zhvilluar 22 ndeshje pa shënuar asnjë gol, ndërsa Haxhiu ka regjistruar 2 gola në 30 paraqitje. Këto shifra tregojnë se Tirana nuk ka më asnjë lojtar në gjendje të marrë rolin e liderit në fazën e avancuar, duke i shtuar presionin drejtuesve për të vepruar me kujdes në merkato. Situata aktuale e vendos Tiranën përballë një sfide të qartë. Rindërtimin e repartit ofensiv.

Me fillimin e sezonit të ri në prag, trajneri dhe drejtuesit e klubit duhet të gjejnë sa më shpejt zëvendësues cilësorë për të mbuluar boshllëkun e madh të lënë nga ikjet e njëpasnjëshme. Nëse investimet e reja do të jenë në nivelin e duhur, Tirana mund të kthejë përfitimin financiar të këtyre largimeve në një cikël të ri suksesi sportiv. Në të kundërt, rreziku i një sezoni të vështirë në aspektin ofensiv është i madh, pasi ekipi për momentin është i zhveshur nga forca sulmuese.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL