Mehmeti do një Dinamo cinike, trajneri i bluve vlerëson Korabin: E vështirë po aq sa në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2023 | 10:30

Mehmeti do një Dinamo cinike, trajneri i bluve vlerëson Korabin: E vështirë po aq sa në Vlorë

Dinamo-Korabi mbyll javën e 21-të të Kategorisë së Parë, me blutë që e kanë të domosdoshme fitoren për të mos rrezikuar objektivin. Dritan Mehmeti ka kundërshtar një ekip që e ka drejtuar edhe më parë, ndaj ua njeh forcën.

Mehmeti Dinamo

Kryeqytetasit kanë pasur gjithë kohën e mjaftueshme për ta përgatitur këtë ndeshje. Ata kanë humbur mesfushorin David Ivan, një mungesë e rëndësishme kjo, por kanë rikuperuar tre lojtarë të tjerë.

Karamba Gasama, Patrik Bardhi dhe Redon Danaj janë gati, por gjithsesi vijnë nga dëmtimet dhe mund ta nisin nga stoli. Me Skënderbeun dhe Flamurtarin që fituan, për blutë shtohet presioni, janë të detyruar që ta kalojnë pengesën e sotme, në të kundër i largohen ndjeshëm misionit “Superiore”.

Ngjitja e imponon Dinamon të fitojë me çdo kusht në “Selman Stërmasi”, stadium që në fakt nuk gëzohen prej dy muajsh. Suksesi i fundit në këtë stadium daton më 28 janar 2023, ku blutë mundnin Luzin 2008 me rezultatin 2-1.

MEHMETI – Trajneri Dritan Mehmeti kërkon një skuadër cinike dhe kompakte, që të shmangë sa më shumë gabimet dhe të marrë pikët e plota. Numri një i stolit dinamovit thekson për “Panorama Sport” se do të jetë po aq e vështirë sa me Flamurtarin në Vlorë.

“Me Korabin do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Kundërshtari ka një ekip të mirë, me lojtarë me kualitet dhe me eksperiencë në këtë kategori. Po ashtu, fakti që gjatë gjithë garës ka qenë mes pretendentëve, mes skuadrave të kreut, tregon qartë për shkallën e vështirësisë. Në renditje na ndajnë vetëm 5 pikë. Ne kemi punuar shumë për këtë ndeshje me grupin e lojtarëve.

Unë do të kërkoja që Dinamo të ishte sa më cinike për të arritur objektivin e tri pikëve dhe sa më kompakte në lojë. E përsëris, duhet cinizëm, sepse do të jetë po aq e vështirë sa edhe në Vlorë. Do të jetë një ndeshje që do të ketë edhe tensionin brenda. E tillë është vetë kjo kategori, nuk ka skuadra që të kenë bërë shkëputjen në renditje, çka vërteton vështirësitë e çdo ndeshjeje. Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë edhe për skuadrat me pretendime.

Një leksion nga Apolonia? Në atë ndeshje bëmë disa gabime individuale, që na kushtuan dhe uroj që të mos përsëriten. Dinamo ka pak vështirësi kur luan në ‘Selman Stërmasi’ ndaj skuadrave që mblidhen prapa dhe mbrohen me forca të shumta.

Prandaj them se dua një Dinamo cinike. Korabi dhe gjithë ndeshjet e tjera që vijnë pas tij janë të forta dhe kërkojnë impenjim maksimal për t’u kaluar. Besoj se Dinamo do t’ia arrijë qëllimit për t’u ngjitur në Superiore në fund”, përfundoi tekniku i kryeqytetasve.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"