“Me Shehin jam më i rrezikshëm’, Tedi Cara: Bëmë detyrën kundër Kukësit, Partizani ka më të mirët në Shqipëri
Tedi Cara shleu pezullimin e kartonëve në Korçë dhe u kthye ndaj Kukësit me një performancë virtuoze, që u mbyll me dy gola dhe një asist.
Kavajasi duket se ka arritur formën më të mirë në këto ndeshje dhe po ndihmon Partizanin që të kalojë luhatjet e këtyre ndeshjeve të fundit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 23-vjeçari flet për formën që po kalon, teksa kërkon vazhdimësi. Ai shprehet se të kuqtë nuk duhet të ndalen dhe se Kukësi ishte thjesht stacioni i radhës.
Tre gola dhe dy asiste në tre ndeshjet e fundit nga ana juaj. Sa i kënaqur jeni me formën që keni arritur?
Po mundohem të bëj më të mirën time, jam aty ku dëshiron klubi. Jam shumë i lumtur për këtë formë që po kaloj. Kam dëshirë ta ruaj këtë vazhdimësi, sepse në radhë të parë i bëj mirë vetes dhe më pas ekipit. Do të punoj fort që ta ruaj këtë formë dhe të krijoj vazhdimësi, sepse lojtari matet me vazhdimësi dhe konsistencë, jo me luhatje. Do të punoj fort që ta ruaj këtë.
A ka ndikuar ardhja e Shehit në këtë rritje të formës suaj në ndeshjet e fundit?
Kur ka ardhur trajneri Shehi, unë jam ndjerë mirë. Në ekipet që ai ka drejtuar kam parë që sulmuesit e krahut si unë, kanë dalluar shumë, duke bërë diferencën. Ndihem mirë me këtë mënyrë loje, sepse sulmuesit e krahut furnizohen shumë dhe kemi më shumë mundësi për qenë i rrezikshëm. Sa më shumë topa të marrësh, aq më i rrezikshëm bëhesh për kundërshtarin, duke qenë një kundër një.
Ka qëlluar që sa herë ka munguar Maget dhe ju, skuadra nuk ka fituar dot. Është koiçidencë apo mendoni se ndikoni në lojën e ekipit?
Nuk mendoj se ekipi ka me patjetër nevojë për mua dhe Magetin. Ka qenë thjesht një rastësi. Ekipi ka kontingjentin e duhur për të përballuar mungesën e ne të dyve dhe jo vetëm. Ka qëlluar që të mos fitojmë apo të humbim edhe kur unë kam qenë në fushë, kështu që nuk do të thotë gjë kjo. Lojtarët e Partizanit janë më të mirët në Shqipëri, mund të luajnë titullarë në çdo ekip, kështu që nuk mendoj se ekipi varet nga unë apo Mageti.
Së fundmi po asistoni rregullisht. Po përqendroheni më shumë për të shërbyer edhe te shokët?
Po, e kam dalluar këtë, sepse mënyra sesi ne luajmë, qëllon gjithnjë që të ketë shumë lojtarë në zonë. Unë kur luaj një kundër një, nëse fitoj duelin me mbrojtësin dhe hyj në zonë, gjej shumë shokë aty afër. Kjo është shumë e mirë për ekipin dhe për mua, sepse del në pah edhe një tjetër aftësi e imja.
Ju falënderoi Mehmeti pas asistit, që i dhatë për golin?
Po, më falënderoi shumë, pasi edhe ai ka pasur një moment të vështirë, ku ka qenë i dëmtuar dhe nuk ka luajtur shumë. E pashë shumë të gëzuar pas golit dhe më përqafoi fort.
Mund të themi se ky triumf do ta zgjojë Partizanin për të nisur ofensivën për vendin e dytë?
Normal që ishte një fitore që vlen për tu rritur moralisht, sepse vijmë nga një humbje me Skënderbeun. Normalisht që nuk duhet të ndalemi këtu, sepse ky ishte vetëm stacioni i radhës. Mposhtëm një ekip që luan shanset e fundit për rënien dhe nuk duhet të kënaqemi me një fitore ndaj tyre. Por është një moral plus, që duhet ta vazhdojmë. Të marrim ndeshjet njëra pas tjetrës dhe t’i fitojmë.
Ndesheni sërish me Kukësin, këtë herë për Kupën. Besoni se do ta keni më të lehtë, edhe prej fitores në Kukës?
Asnjë ndeshje nuk është e lehtë. E pamë edhe sot (dje) në pjesën e parë që ishte pak e ndërlikuar. Me Kukësin në letër duken ndeshje të lehta, por në fushë është gjithnjë e vështirë. Do ta kemi të sikletshme ndeshjen e Kupës, pasi duke fituar atje dhe këtu, mund të mendojmë sikur është fituar ndeshja pa u luajtur. Nuk duhet ta nënvlerësojmë në asnjë moment Kukësin, sepse mund të bëhet i rrezikshëm.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"