“Më ka frymëzuar Pavel Nedved”, rrëfehet Albano Aleksi: Egnatia ka shumë cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2023 | 22:56

“Më ka frymëzuar Pavel Nedved”, rrëfehet Albano Aleksi: Egnatia ka shumë cilësi

Albano Aleksi ishte padiskutim një prej goditjeve më të bujshme të merkatos së verës, pasi u largua nga Tirana dhe pranoi ofertën që i bëri Egnatia. Edhe pse mesfushori pati bisedime për rinovimin e kontratës me bardheblutë, në fund zgjodhi të vijonte karrierën te rrogozhinasit.

Aleksi

Ai ka shkëlqyer në kampionatin shqiptar fillimisht si pjesë e Luftëtarit, ndërsa më pas fitoi gjithçka në klube si Teuta dhe Tirana. Në një intervistë ekskluzive për “Panoram Sport”, 30-vjeçari tregon atmosferën tek Egnatia dhe ambiciet e klubit këtë sezon.

Albano, do të luani kundër Laçit të shtunën në Rrogozhinë. Rivali vjen pas 2 fitoreve radhazi, çfarë prisni nga ky duel?

Ne po përgatitemi për të qenë në maksimumin tonë, pasi e dimë që do të luajmë kundër një skuadre të mobilizuar. Laçi ka futbollistë të rinj, që po bëjnë mirë dhe natyrisht do të jetë një përballje delikate. Megjithatë, Egnatia do të futet në fushë vetëm për tri pikët, pasi do të kemi edhe ndihmën e tifozëve, të cilët kanë qenë të shumtë në shkallët e stadiumit dhe shpresoj t’i kënaqim me një fitore.

Në tri ndeshjet e para keni grumbulluar 7 pikë. Është kjo rruga e duhur për Egnatian, që këtë vit synon edhe titullin kampion?

Skuadra po punon intensivisht për të arritur objektivin ndeshje pas ndeshjeje, por nuk mendojmë për titullin, pasi fokusi ynë është vetëm takimi i radhës. Unë dhe shokët po mundohemi t’i marrim maksimumin aftësive që kemi, në mënyrë që të vihemi në shërbim të skuadrës.

Ndiheni i përshtatur plotësisht tashmë që kanë kaluar tre muaj si pjesë e Egnatias?

Në fakt, kam arritur të përshtatem shpejt. Skuadra ka cilësi dhe infrastruktura nuk mungon për t’u ndierë komod. Këto dy elementë më kanë ndihmuar ndjeshëm të ndërthurëm me pjesën tjetër të ekipit. Ajo që më bën përshtypje është puna intensive e të gjithëve në klub.

Si ndiheni me Fernandon dhe Zejnullain në mesfushë?

Jemi përshtatur mirë, edhe pse kemi luajtur vetëm 3 ndeshje bashkë. Dua të theksoj faktin se skuadra ka shumë cilësi në të gjitha repartet. Kjo e bën më të lehtë punën për gjithsecilin prej nesh. Egnatia nuk ka individë të caktuar ku fokusohet loja, por një grup interesant që punon si një trup i tërë.

Çfarë ju pëlqen te taktikat që ndjek trajneri Tetova?

Është një trajner që punon me detajet dhe mundohet që filozofinë e tij ta pasqyroj te futbollistët. Më pëlqen fakti që mundohet të integroj te ne skemat që na përshtaten, me qëllim që çdo lojtari t’i marri maksimumin.

Aleksi, ju jeni një lojtar që shquheni për grintën që keni. Keni ndonjë idhull në futbollin botëror?

Jam inspiruar nga Pavel Nedved. Ai ka qenë fituesi i “Topit të Artë” dhe mbi të gjitha një mesfushor, i cili punonte si motor në fushën e lojës. E kam adhuruar, pasi futbollisti çek kishte potencë, shpejtësi dhe grintë të admirueshme.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"