“Me Flamurtarin do të tentojmë surprizën”, Rama tregon planin e Luftëtarit: Dhe ne kemi pretendimet tona
Luftëtari ka “arkivuar” barazimin në Kategorinë e Dytë dhe ka kthyer vështrimin te Kupa e Shqipërisë. Edhe pse prioritet mbetet ngjitja, jashtë vëmendjes nuk mbetet as ky kompeticion dhe sidomos kur kundërshtar do të kenë Flamurtarin. Këtë e pohon edhe Astrit Rama, i cili po kthehet në një lider te bluzinjtë.
Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” mesfushori thotë: “Barazimin me Devollin e kemi lënë pas krahëve dhe tashmë jemi fokusuar te ndeshja e radhës. Shkojmë në Vlorë, atje ku na pret Flamurtari. Është vërtet ndeshje Kupe, por ne kemi pretendimet tona. Do të futemi në fushë për të luajtur futbollin tonë më të mirë dhe pse jo, tentojmë edhe surprizën”.
Nuk kishte si të mos fliste edhe për golin që i shënoi Devollit në limite dhe shmangu humbjen e gjirokastritëve.
“Edhe pse shënova gol, nuk mund të them se bëra më të mirën për ekipin. Të gjithë lojtarët dhanë në fushë maksimumin. Me fatin kundër dhe me gjykime ndoshta joprofesionale, s’patëm mundësi të bënim më shumë. Në Devoll, vërtet kemi lënë dy pikë, por mendoj se kemi marrë me vete opinionin e shëndoshë të sportdashësve vendës. Turbina? Kemi punuar fort në çdo seancë stërvitore. Me frymën e grupit dhe besimin tonë si lojtarë, Luftëtari do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë”, përfundoi 22-vjeçari.
TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"