“Me fat që punojmë me profesor Bozhiqin, të mundim Erzenin”, Sali: Dinamo është e para, s’kam duel me Rexhepin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2023 | 17:43

“Me fat që punojmë me profesor Bozhiqin, të mundim Erzenin”, Sali: Dinamo është e para, s’kam duel me Rexhepin

Me ndryshimin e bërë në stafin teknik të Dinamos ka ardhur edhe rotacioni në portë. Edmir Sali ka marrë vendin e Bekim Rexhepit në kuadratin e portës blu në tri ndeshjet e fundit, ku ka pësuar 2 gola, ndërkohë që skuadra ka marrë 5 pikë dhe ka evituar humbjet. Portieri vlonjat, dje në një prononcim për “Panorama Sport”, theksoi se nuk ka dualizëm mes tij dhe Rexhepit, përkundrazi janë mjaft bashkëpunues mes tyre.

SALI

Ai vlerëson punën që bëhet aktualisht me trajnerin Ilir Bozhiqi, ndërsa shprehet gjithashtu se te Dinamo ka ndryshuar fryma e grupit dhe skuadra mund të bëjë shumë më mirë në vazhdim të këtij sezoni.

RIVALITETI – “Dualizëm me Rexhepin? Jo, ne të dy stërvitemi fort dhe rregullisht për të ndihmuar klubin të arrijë objektivat e sezonit. Kemi raport shumë të mirë shoqëror dhe konkurrenca na ndihmon të rritemi në aspektin profesional si portierë. Sa për formacionin, është zgjedhje e stafit të trajnerëve dhe këdo që të zgjedhin nga ne të dy për të luajtur, si profesionistë e respektojmë vendimin dhe japim maksimumin. Çdo vendim është për të mirën e Dinamos. Sa i përket profesor Bozhiqit, është vërtet fat që punojmë me të.

Kjo do të thotë më shumë ngritje për mua në aspektin profesional dhe jo vetëm. Dija dhe eksperienca që ka profesori është e rrallë, të paktën me aq sa kam punuar unë dhe kam parë në kampionatin tonë. Mua më mbetet të mësoj sa më shumë prej tij dhe të jap më të mirën”, thotë fillimisht Sali. Ndërkohë, i ngacmuar për ndryshimin në skuadër pas rikthimit të trajnerit Dritan Mehmeti, portieri u shpreh: “Për mendimin tim, me ndryshimin e stafit teknik, së pari ka ndryshuar fryma e grupit. Kjo është diçka shumë pozitive. Po ashtu, grupi tani sikur ka më shumë mentalitet fituesi. Janë dy gjera që kanë shumë rëndësi në futboll”.

ERZENI – Të dielën blutë luajnë me Erzenin në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, aty ku do të jenë si pritës tashmë, pasi klubi ka vendosur të mos i zhvillojë më ndeshjet në Elbasan. Për blutë, çdo 90-minutësh ka rëndësi të madhe, sepse duhen rikuperuar pikët e humbura gjatë fazës së parë. “Nuk jam tip i parashikimeve. Në futboll ndodh gjithçka, por di të them që ne do të futemi në çdo ndeshje vetëm për fitore. Gjithmonë kemi objektiv ndeshjen e radhës, pa parë shumë larg. Pres të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar, ku Dinamo do të japë gjithçka për të dalë me 3 pikët, që për ne kanë shumë rëndësi”, u shpreh Sali.

E ARDHMJA – Në fund portieri vlonjat foli edhe për synimet që Dinamo do të ketë në vazhdimësi, pas nisjes jo të mirë të sezonit. “Siç e përmenda më lart, ne kemi si objektiv vetëm ndeshjen e radhës. Përqendrohemi vetëm aty për të gabuar sa më pak. Duke i marrë ndeshjet një e nga një, besoj se do të përmirësohemi në rezultate dhe në lojë. Mbetet për t’u parë se ku mund të arrijmë këtë sezon, por mund të them se Dinamo është një skuadër e fortë, me kualitet, që nuk e meriton aspak vendin që mban aktualisht në tabelën e renditjes”, ka përfunduar portieri vlonjat.

FATJON RUPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"