“Me bekimin e Josës, po bisedojmë me lojtarë Superioreje”. Bizhdili zbërthen Besën e elitës: Do të bëjmë 10 afrime
Si kurrë më parë, Besa ka gjetur dy partnerë, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për futbollin kavajas. Bëhet fjalë për kryebashkiakun Fisnik Qosja dhe presidentin Nexhat Bizhdili. Dy ditë më parë u prezantua edhe një trajner kampion, si Mirel Josa, që do të udhëheqë ekipin gjatë sezonit të ri.
Prezenca e dy afrimeve të para, Mazerekaj dhe Goxhaj paralajmëron një merkato të fuqishme te Besa. I pyetur se në çfarë shinash po shtrohet Besa, pasi duket se gjithçka do të nisë nga themelet, pra nga infrastruktura, presidenti Bizhdili për “Panorama Sport” u shpreh: “Së pari, merr fund degdisja sa në një stadium në tjetrin. Gjithë sezonin e ri, si pritës, do ta luajmë në stadiumin e Rrogozhinës. Duke qenë afër Kavajës, tifozët do ta kenë më të lehtë, si dhe për çdo ndeshje do të vendosim autobusë falas.
Puna për stadiumin e ri nis së shpejti dhe s’do presim të mbarojë komplet. Tribuna qendrore dhe tapeti do të investohen sa më shpejt, që Besa të luajë në Kavajë. Më pas, do të mbyllet i tërë stadiumi modern. Ndoshta nuk është luks, por pas kaq vitesh Besa do të ketë autobusin, si çdo ekip i Superiores. Këto janë vetëm disa investime, pa folur për kushtet moderne të akomodimit, që e bëmë edhe vjet”.
Merkato cilësore- Themeli i suksesit shikohet riformatimi i grupit. Për këtë, Bizhdili premton së paku 10 afrime cilësorë nga Superiorja. Dy prej tyre tashmë i janë bashkuar Besës, si Mazrekaj e Goxhaj. “Nuk diskutohet që gara do të jetë e fortë, ndaj kërkohet ekip me lojtarë kampionë, fitues e që dinë si arrihet suksesi. Fillimisht afruam një trajner kampion si Mirel Josa dhe dy futbollistë me përvojë, Mazrekaj e Goxhaj. Besa aktuale ka vërtet lojtarë cilësorë. Disa prej tyre do të vijojnë të jenë pjesë e grupit, por nuk mjaftojnë për të garantuar suksesin që duam. Ndaj kemi filluar punën për të bërë oferta dhe afruar futbollistë që kanë vetëm përvojë Superioreje.
Kemi menduar të bëjmë të paktën 10 afrime, në pozicione të ndryshme. Natyrisht, sipas vlerësimit që do japë trajneri Mirel Josa së bashku me stafin. Jam në negociata me dy mesfushorë elitarë, por nuk preferoj t’i bëj publik pa mbyllur zyrtarisht bisedimet me ta. Deri më 15 korrik, kur mendojmë të nisim përgatitjet, gjithçka do të jetë gati. Pas një dekade “vuajtje”, Besën do ta rikthejmë aty ku historikisht ka luajtur. Çdo afrim të ri deri në plotësimin e grupit do ta bëjmë publik, pasi dhe me median do vendosim partneritet të sinqertë profesional, sikurse e kërkon një klub serioz”. I pyetur mbi futbollistët aktualë, se kush qëndron te Besa, Bizhdili u shpreh:
“Në grupin që mbylli sezonin kemi disa futbollistë vërtet cilësorë, të cilët do të mbeten pjesë e grupit. Më pas, secili të bindë Josën e stafin se çfarë angazhimi meriton në lojë”. Besohet se lojtarë të tillë si portieri Ahmetaj, qendërmbrojtësit Nuredin Abdullai dhe Kapo, mbrojtësi Nurja, mesfushori Dabo, Balla e Spahiu me siguri do të mbeten pjesë e ekipit, por edhe të tjerë që të vlerësohen nga trajneri Josa në fillim të punës stërvitore.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"