Me 3 mushkëri, Barela: Guardiola nuk flet kot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2024 | 23:09

Me 3 mushkëri, Barela: Guardiola nuk flet kot

Nikolo Barela është përzgjedhur nga UEFA si lojtari më i mirë i ndeshjes ndaj Mançester Sitit. Mesfushori i Interit ishte i kudondodhur në fushën e lojës, duke luftuar me kundërshtarët për çdo top dhe duke qenë lideri i mesfushës zikaltër në një mbrëmje të madhe europiane. Ai ka folur menjëherë pas sfidës për mediat italiane.

barela

“Ishte një ndeshje e madhe që e luajtëm si skuadër. Vitin e kaluar fituam kampionatin dhe duket sikur e injoruam pak Champions-in, por këtë sezon duam të bëjmë diçka më shumë në këtë kompeticion të rëndësishëm. Jemi duke u rritur dhe eksperienca na ndihmon për të luajtur në këtë mënyrë.

Dy vite më parë kemi arritur në finalen e Champions-it sepse tek Interi luhet për të fituar. Kjo është ambicia që të gjithë duhet të kenë në këtë skuadër, pastaj në futboll mund të ndodhë gjithçka. Por treguam ndaj një skuadre të fortë që mund të luajmë ndaj të gjithëve si të barabartë. Episodet pastaj janë ato që vendosin ndeshjet. Ne kemi një skuadër të madhe dhe nuk besoj që Pep Guardiola ka përdorur elozhet kot ndaj nesh”, ka thënë fillimisht Nikolo Barela.

DERBI- Por Interi nuk ka shumë vend për festë për këtë barazim të çmuar në Mançester pasi ditën e diel do të luhet derbi i Milanos kundër kuqezinjve. “Më pëlqeu shumë qasja që kishim sidomos pas një ndeshjeje jo të shkëlqyer kundër Monzës. Mund të kishim probleme, por dhamë 200% në fushën e lojës. Ky është mentaliteti që duhet për të shkuar deri në fund.

Nuk ishte asnjë sinjal për Milanin sepse ne menduam vetëm për këtë ndeshje. Ata mendonin për Liverpulin dhe nga nesër (sot) do të përgatisim derbin në mënyrën më të mirë të mundshme. Sigurisht që do të luajmë për fitore”, përfundoi zëvendëskapiteni i Interit.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"