Mbrojtja mbetet “thembra e Akilit” për Apoloninë, ja momenti kur fierakët shënojnë më shumë
Apolonia u kthye me zero pikë nga transferta e Fushë Krujës, por humbja minimale nuk është bërë dramë. Rrjedhimit është kapërdirë, duke ditur mungesat që kishte trajneri Sedat Pajaziti në këtë takim.
Serjan Repaj është i dëmtuar, Umejiego ishte i pezulluar dhe kthehet këtë javë, pa përmendur mungesat e vjetra të Injehut, Kananajt dhe Rakipajt në mesfushë. Mbrojtja ka çaluar shumë këtë sezon, pasi Apolonia pëson në mënyrë periodike. Trajneri Pajaziti e di mjaft mirë problematikën në prapavijë, por shpreson që ekipi të minimizojë gabimet për ndeshjet e ardhshme. Nga “skaneri” i golave të pësuar deri më tani, rezulton se pjesët e dyta, veçanërisht çerekorëshi i fundit është më problematiku.
Në total, janë 8 pikë të lëna në fund. Nga ana tjetër, fierakët kanë sulmin e tretë më të mirë të së Parës, pas Besës dhe Flamurtari. Ekipi ka shënuar 18 gola në 13 javë dhe 14 gola mbajnë firmën e sulmuesve Maksuti, Trifoni dhe Umejiego. 4 golat e tjerë janë shënuar nga mesfushorët Topi dhe Musa. Momenti më efikas për Apoloninë është 15 minutëshi i fundit të pjesës së parë dhe çerekorëshi i parë i pjesës së dytë.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"