Mbrojtja është “Thembra e Akilit” te Vllaznia, gabime të rënda edhe nga lojtarët kryesorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2025 | 17:29

Mbrojtja është “Thembra e Akilit” te Vllaznia, gabime të rënda edhe nga lojtarët kryesorë

Vllaznia nuk arriti të ruante ritmin e rezultateve pozitive në këtë start kampionati, ku pas fitores 2-0 ndaj Egnatias në javën e parë, kuqeblutë u mposhtën 3-1 nga Dinamo në raundin e dytë të Superiores së këtij edicioni.

vllaznia

Me ekipin e Ilir Dajës që vijon të jetë një “tabu” për shkodranët në dy sezonet e fundit, ku blutë janë skuadra që i kanë shkaktuar më shumë humbje 9 herë kampionëve të vendit. Por në përballjen me “nëndetësen” për Vllazninë u rishfaqën problemet e këtij fillim sezoni. Kështu kuqeblutë aq shumë të kritikuar për mbrojtjen e tyre dhe pësimin e golave të shumtë në ndeshjet e Conference League, por edhe miqësoreve verore duket se “rregulluan” diçka në duelin e para një jave kundër Egnatias. Por sërish duket se ka ende shumë punë për përmirësimin e fazës mbrojtëse dhe lojës në përgjithësi të skuadrës shkodrane.

Ishte Dinamo që e “dominoi” nga fillimi në fund takimin ndaj skuadrës së Martinit. Që në thuajse asnjë moment nuk dha sigurinë që mund të reagonte ndaj një skuadre të barabartë, të paktën në letër. Pasi në fushë u dallua qartë supermacia e 18 herë kampionëve të vendit në pjesën dërrmuese të takimit. Për t’u kthyer tek mbrojtja, ajo u “ça” në shumë raste, me Dejvi Bregun që “çorientoi” totalisht prapavijën e kuqebluve. Të cilët lanë hapësira të shumta në mbrojtje, madje shpesh, duke u zënë edhe në disavantazh numerik, pavarësisht rreshtimi me 3 qendër mbrojtës e duke shtuar këtu edhe dy anësorët e krahut.

Po ashtu gabimet individuale të disa futbollistëve, siç ishte ai i Gurishtës në golin e dytë të Dinamos patjetër tregojnë për një ndeshje “jo” të kuqebluve ndaj Dinamos. Një disfatë që duket se vjen në momentin e “duhur”, pasi kampionati do të pushojë për më shumë se 12 ditë për shkak të angazhimit të kombëtares shqiptare.

Me Vllazninë dhe trajnerin Martini që gjatë kësaj periudhe duhet të punojë shumë për të përmirësuar gabimet që po vijojnë nga fillimi i verës e deri në këtë fillim kampionati për shkodranët. Ku mbrojtja ngelet reparti më i “shigjetuar” aktualisht, me prapavijën shkodrane që akoma duket e “brishtë”. Ku duhet gjetur “formula” dhe vendosja e duhur në fushë që skuadra të mos “vuajë” çdo ndeshje duke pësuar gola dhe duke mos dhuruar garanci nga mbrapa.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL