Mbrojtësi Nurja: Fitorja shijon edhe kur vjen në fund, Besa nuk luan në mbrojtje
Besa ka arritur të fitojë me Kukësin, por ky sukses i vështirë erdhi në fund të sfidës. Ashtu si në mjaft takime të tjera, verdhezinjtë kanë shfaqur “sëmundjen” e rasteve të humbura. Vetëm gjatë pjesës së parë, kavajasit humbën së paku 3 raste të pastra.Largimi i sulmuesit Kanu bëri që Nonanto të zbriste nga minuta e parë, por nuk tregoi formën që ka shfaqur me Erzenin në elitë. Për mbrojtësin Joni Nurja, ato që mbeten janë pikët dhe Besa vijoi të jetë në garë me Vorën e Flamurtarin. “Ishte një ndeshje ku zhvilluam lojën tonë të mirë. Kukësi u mbrojt fort në bllok të ulët, gjë e cila na solli disi vështirësi. Tashmë, të gjitha ekipet luajnë kundër nesh me forca të shumta dhe në futboll është më e lehtë të mbrosh se sa të sulmojnë. Kjo vjen, pasi ata kënaqen edhe me 1 pikë me Besën, ndërkohë që ne si ekip bëjmë lojë sulmuese dhe duam vetëm fitoren. Kjo ndodhi edhe me Kukësin. Jam i kënaqur që gjetëm golin e fitores, pasi besuam deri në fund dhe e shijuam. Kemi një Goxha që mbetet shtyllë në prapavijë dhe nuk është hera parë që shënon”, u shpreh Nurja për “Panorama Sport”.
Kavajasit lanë pas Kukësin dhe tashmë i pret një betejë e fortë, pasi do të udhëtojë në fundjavë në Vlorë. Në takimin e fundit në Vlorë, verdhezinjtë luajtën për Kupë dhe e eliminuan Flamurtarin, ndërkohë që në Rrogozhinë të dyja ekipet e mbyllën sfidën në barazim. Flamurtari ndodhet 6 pikë përpara Besës dhe do t’i interesonte edhe një barazim, por kavajasve u bën punë vetëm fitorja. Në këto kushte, pritet të jetë një sfidë e paparashikuar, por mendohet të jetë një ndeshje e bukur, e luftuar dhe e fortë.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMSPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"