Mbrojtësi Fetaj: Në Burrel ndihem si në shtëpi, Korabin e pret humbja në “Liri Ballabani”
Patrik Fetaj po luan sezon e dytë me Burrelin dhe falë kontributit të tij, mbrojtësi është kthyer në një lojtar stabël për matjanët. Gjatë prononcimit për “Panorama Sport” 26-vjeçari pohon se në Burrel ndihet si në shtëpi, si dhe analizon sezonin aktual të matjanëve.
“Ndihem mirë që jam pjesë e Burrelit edhe këtë sezon. Kushtet e trajtimit janë optimale e mbi të gjitha mbizotëron harmonia në grup. Kjo ka bërë që të jemi ekip solid dhe kompakt në fushën e lojës, kjo edhe falë punës profesionale të stafit teknik me në krye trajnerin Bicaj. Kjo gjë u pa edhe në ndeshjen e fundit me Valbonën. Shkuam për të marrë një rezultat pozitiv në Tropojë, që e arritëm dhe shënuam katër gola. Me këtë ndeshje rregulluam edhe golavarazhin duke e kthyer në +2. Në pjesën e parë u luajt fort edhe nga ekipi vendas, por ne e dominuam lojën. Në të dytën, gjithçka foli për ne.
Siguruam këtë fitore të thellë, që është motiv dhe frymëzim për ecurinë e ekipit për vazhdimësinë”, u shpreh fillimisht Fetaj. Burreli këtë javë pret Korabin, ku pritet një ndeshje e luftuar ashtu siç ka ndodhur në çdo derbi. Në lidhje me këtë takim Fetaj u shpreh: “Derbi i qarkut në traditën e vet ka dhuruar lojëra të bukura, me grintë dhe luftë të fortë sportive. Kohët e fundit, te dibranët ka pllakosur ‘epidemia’ e rezultateve negative dhe i njëjti fat i pret edhe në Burrel.
Ekipi ynë do të luajë vetëm për fitore dhe po përgatitemi intensivisht për t’ia arritur qëllimit. Grupi është kompakt. Nuk kemi dëmtime as ndëshkime dhe gjithçka po shkon mirë. Me frymën e optimizmit dhe besimit në fitore do të zbresim në fushë për të dhuruar lojë bindëse dhe rezultat pozitiv”.
MARTIN DEDAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"