Mbijetesa po kthehet në një “rebus” për Butrintin/ Fitorja e parë në transfertë, flet Jaupaj: Na motivoi trajneri
Mbijetesa po kthehet në një “rebus” në Kategorinë e Parë. Askush nuk ka garanci dhe kjo u jep shpresë thuajse të gjithave. As në Sarandë nuk kanë në plan që të dorëzohen dhe sidomos pas fitores në Peqin. Këtë e thotë edhe Ardit Jaupaj, autori i golit të parë ndaj Shkumbinit.
Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi zbulon se falë trajnerit i ri morën trepikëshin e parë në transfertë, por nuk ngurron që të flasë edhe për Maliqin.
Shënuat golin e 3-të në Sarandë dhe i hapët rrugë fitores në Peqin…
E vërtetë, por ky më shijoi shumë. Luanim në një transfertë delikate dhe me një rival direkt për mbijetesën. Shpresoj të vazhdoj me golat.
Erdhi edhe fitorja e parë në transfertë, jeni më të qetë?
Të them të drejtën, merita i takon trajnerit. Na ka motivuar shumë duke filluar nga Pogradeci, e për të kaluar tek Apolonia. I kemi dominuar të dyja ekipet, paçka se kemi dalë pa pikë nga fusha. Në Peqin u futëm në fushë me optimizëm e më të bashkuar se kurrë dhe ia dolëm të fitonim.
Nga një finale në Peqin, te një tjetër me Maliqin. Do të vijë trepikëshi i radhës në “Andon Lapa”?
Po, na kanë mbetur edhe 8 ndeshje dhe duke parë pozitat në të cilat ndodhemi ne dhe rivalët që kemi afër, e kemi finale edhe këtë me Maliqin në shtëpinë tonë. Do të hyjmë në fushë për 3 pikët. Luajmë në shtëpi dhe do të jetë një ndeshje që do të ketë vlerësim maksimal nga ana jonë. Nuk ka rival të fortë dhe të dobët. Ne i vlerësojmë të gjitha ekipet në maksimum, pasi çdo ndeshje vlen 3 pikë.
Jeni në “zonën e ftohtë”, por diferencat ju japin ende shpresa për mbijetesën. Do t’ia dilni?
Nuk bëjmë llogari. Ne mendojmë tashmë për ndeshjen e radhës me skuadrën e Maliqit. Nuk duhet të nënvlerësojmë, por u bëj thirrje tifozëve që të jenë të shumtë në ndeshjen e radhës. Madje, do të fitojmë dhe do të japim maksimumin edhe për ata që na mbështesin kudo.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"