Mbarak “ngrin” Kukësin, Rashiti pritet titullar të premten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 23:12

Mbarak “ngrin” Kukësin, Rashiti pritet titullar të premten

Kukësi është duke vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes me Partizanin këtë fundjavë, me shpresën se do të rikthehen te rezultatet pozitive.

kukesi

Situata nuk është aspak e mirë, pasi blutë prej muajsh, nuk po provojnë shijen e fitores, duke u zhytur gjithnjë e më shumë në vendin e fundit në renditje. Gjithsesi, për aq kohë sa në lojë do t’i mbajë matematika dhe për më tepër që janë ende shumë ndeshje deri në fund, në Kukës nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Për këtë arsye, edhe pse përballë do të jenë kampionët në fuqi, objektiv do të jetë marrja e tri pikëve.

MBARAK – Sikur të mos i mjaftonte gjendja jo e mirë në aspektin psikologjik, në Kukës duhet të bëjnë llogaritë edhe me dëmtimet dhe kontingjentin që do të kenë në dispozicion. Së fundmi, Bledar Devolli do të jetë i privuar nga mungesa e mesfushorit Abdou Mbarak. Mauritanezi ka pësuar një tërheqje në stërvitje dhe gjasat janë që të mungojë disa javë, duke ia shtuar edhe më shumë hallet teknikut gjirokastrit.

Në fakt, 24-vjeçari këtë sezon ka vuajtur shumë nga lëndimet dhe vetëm para dy ndeshjesh u rikthye të luante sërish me Kukësin. Por është i detyruar të bëjë disa ndeshje të tjera “stop”, me Devollin, që duhet të mendojë menjëherë edhe për zëvendësuesin e tij. Në tërësi Kukësi ka pasur probleme me dëmtimet këtë sezon, teksa thuajse për asnjë moment nuk ka qenë me kontingjentin e plotë, duke sjellë më pas edhe probleme në marrjen e rezultateve.

RASHITI – Para Partizanit vijnë edhe lajme të mira nga infermieria blu, sepse gjasat janë që ta kenë të gatshëm plotësisht sulmuesin kryesor, Atdhe Rashiti. Ky i fundit ka qenë gjithashtu një nga lojtarët më të pafat sa i përket lëndimeve, por duket se është rikuperuar dhe është vënë nën urdhrat e Devollit me kohë të plotë. Në ndeshjen me Erzenin ai u preferua disa minuta në lojë, por me Partizanin hedh kandidaturën për ta nisur titullar.

Tani më shumë se kurrë verilindorët kanë nevojë për shërbimet e tij, pasi konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më me shumë potencial në këtë skuadër. 24-vjeçari luan sezonin e dytë te blutë, pas mbërritjes vitin e kaluar në futbollin shqiptar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"