“Mbaj përgjegjësi për Bylisin, sot futbolli ishte i padrejtë”, trajneri i Partizanit insiston: Për Rrapajn pyesni dikë tjetër, jemi si zogj të vegjël që…
Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, theksoi pas barazimit të sotëm ndaj Elbasanit, se sipas tij ky nuk kishte qenë një rezultat i drejtë për atë që kishte dhuruar ekipi në fushën e lojës.
“Dua të them se pas ndeshjes me Bylisin, që nuk ishim as në nivel energjie dhe as performance si duhet të jetë Partizani, i merituam të gjitha kritikat dhe marr përgjegjësinë. Ndërsa sot mund të them se bëmë ndër ndeshjet më të mira të kampionatit. Shumë respekt për kundërshtarin. Sa i përket ritmit, rasteve që krijuam, mendoj se futbolli ishte pak i padrejtë sot. Por ky është futbolli dhe të gjithë ata që kanë parë ndeshjen, kanë përshtypje pozitive për këtë ndeshje. I përgëzoj futbollistët për motivimin dhe përformancën, ashtu si edhe tifozët nga zemra për përkrahjen që na dhanë.
Gjithmonë duhet të shohim veten tonë, gjithmonë shohim problematikat që na shfaqen që t’i rregullojmë. Patjetër marrim përgjegjësi për golat e pësuar. Por gjithashtu bëjmë llogari dhe për pjesën e cilësisë së kundërshtarit dhe aftësisë së tyre. Nëse flasim për pjesën e përgjegjësisë, te dy golat keni gabime në vendosje që ishin të evitueshme.
Sa i përket pjesës se si do të plotësohet ikja e Rrapajt, ndoshta i takon dikujt tjetër e jo mua kjo pyetje. Pjesa ime është të tregoj respekt maksimal ndaj çunave që luajtën sot, që kanë qenë maksimalisht të motivuar. Luajtëm pa katër futbollistë sot, ia lëmë këtë pjesë opinionit se sa cilësia e tyre mund të ndikojë në performancën e ekipit. Por ata që luajtën sot treguan motivacion të shkëlqyer. Gjithashtu treguan edhe cilësi në interpretimin e ndeshjes. Dua të them edhe atë që kam thënë para tre muajve, pas fitores me Egnatian, që jemi disa zogj të vegjël që po mësojnë të fluturojnë. Patjetër që duhet të jemi modestë, të punojmë shumë dhe të mundohemi çdo ditë të përmirësohemi”, tha Veselinoviç për RTSH pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"