“Maratona e Kamzës” mban edicionin e parë, ja fituesit
Për herë të parë është mbajtur të dielën “Maratona e Kamzës”, event i organizuar nga Federata Shqiptare e Atletikës në bashkëpunim me Bashkinë Kamzë. Një manifestim i bukur sportiv, ku morën pjesë sportistë elitarë, nxënës dhe vrapues amatorë në parkun e ri pranë Liqenit të Paskuqanit, duke e shndërruar në një festë të vërtetë aktivitetin që mblodhi me mijëra vrapues dhe të pranishëm.
Këtë maratonë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe liderët organizues e pikërisht, presidenti FSHA-së, Taulant Stërmasi, kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, gjithashtu edhe presidentit i KOKSH, Fidel Ylli. E pranishme për t’i ndjekur nga afër garat ishte edhe kampionia e madhe e atletikës shqiptare, Luiza Gega. Aktiviteti pati një pjesëmarrje të gjerë me 18 shkolla 9-vjeçare e të mesme të Bashkisë Kamzë.
Ky eveniment startoi me konkurrimin e nxënësve të shkollave 9-vjeçare në garën “Fun Run”, 400 metra, e cila u nda në dy kategori: nxënësit e klasave të 6-7 dhe ajo e nxënësve të klasave 8-9. Më pas u zhvillua maratona prej 3800 metrash të shkollave të mesme për djem e vajza si dhe u mbajt gjithashtu maratona prej 10 kilometrash. Pas garave me shumë rivalitet u shpallën edhe fituesit, teksa në maratonën 10k triumfuan Albion Ymeraj nga Kosova si dhe Redia Dauti e Tiranës.
Në kategorinë 3800 metra kampionë u shpallën Jahja Teqja nga shkolla “Hasan Tasim” si dhe Ajla Doda e shkollës “Dituria”. Në garat “Run Fun” për klasat 6-7 në shkallën më të lartë të podiumit u ngjitën Elez Elqeni i shkollës “100 Vjetori” si dhe Oltea Zaimi e shkollës “Osman Myterizi”. Ndërsa për klasat 8-9 triumfuan Dorian Peposhi nga sholla “Nënë Tereza” dhe Rigerta Allushi nga shkolla “100 Vjetori”.
STËRMASI – Presidenti i FSHA-së, Taulant Stërmasi, në një prononcim për “Panorama Sport”, e komentoi kështu aktivitetin: “Maratona e Kamzës ishte një platformë promovimi që gjallëroi jetën e qytetarëve të Kamzës. Nuk mund të promovonim 42 kilometra, pasi duhet një përvojë e gjatë, megjithëse hapësirat janë të favorshme. Ky event pati një rëndësi të madhe, sepse shënoi maratonë e parë të këtij qyteti me një popullsi mjaft të madhe. Ky event shërbeu gjithashtu edhe si një guidë turistike për promovimin e këtyre vlerave që na sjell ky investim i mrekullueshëm i Bashkisë Kamzës me këtë pedonale të jashtëzakonshme. Ishte një tur sfidues, por edhe shërbeu në promovimin e shëndetit, fitnesit, angazhimit të komunitetit si dhe vetë qytetin e Kamzës. Maratona e Kamzës, tregoi një dëshmi të qartë të rritjes së zhvillimit të atletikës brenda kësaj bashkie. Ishte një lëvizje që promovoi një mënyrë jetese aktive dhe e prezantoi qytetin e Kamzës në një skenë më të madhe Kombëtare. Falënderimet më të mira shkojnë për kryebashkiakun Rakip Suli, që na mbështeti fuqishëm si në mënyrë e organizmit, gjithashtu edhe të bashkëpunimit me shkollat”, u shpreh kreu i FSHA-së.
A.DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"