“Do jetë sezon më i luftuar”, Malota: Kishim super ekip në edicionin e kaluar, por Egnatia i mbron sërish të dy trofetë
Të dielën fillon misioni i mbrojtjes së titullit kampion për Egnatian. Rrogozhinasit ndeshen me Dinamon në “Elbasan Arena” për javën e parë të kampionatit dhe kapiteni Renato Malota thekson në një intervistë për “Panorama Sport” se ndaj Egnatia të gjithë do të japin më shumë nga vetja.Ai pohon gjithashtu se skuadra e sezonit që shkoi ishte super, ndërsa kjo e sezonit të ri mbetet për t’u parë. Mbrojtësi lezhjan shprehet optimist për mbrojtjen e të dy trofeve, pavarësisht vështirësive.
Malota, Egnatia nis mbrojtjen e titullit kampion kundër Dinamos, si është gjendja e skuadrës?
Të gjithë e dimë që na pret një kampionat shumë i vështirë, pasi çdo ekip do të mundohet të japë maksimumin ndaj kampionëve në fuqi. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë vështirësish do të kemi këtë sezon. Për sa i takon Dinamos, mendoj se kjo skuadër këtë sezon do të ketë fytyrë tjetër. Me merkaton që kanë bërë besoj se do të kenë një ekip cilësor dhe parashikoj një ndeshje mjaft të vështirë për ne të dielën në Elbasan.
Sa ndikon fakti që keni qenë pjesë e Kupave të Europës në aspektin fizik?
Mendoj që na ka ndihmuar ky fakt, pasi të gjithë lojtarët gëzojnë një formë të mirë fizike. Egnatia mendoj se është plotësisht gati për kampionatin. Të gjithë ekipet do duan t’u shkurorëzojnë si kampionët në fuqi të Superiores.
Sa është në gjendje Egnatia ta përballojë presionin?
Kjo gjë nuk na shqetëson, përkundrazi na motivon më shumë. Ne e dimë që jemi ekipi për t’u mundur, por këtë gjë do ta kthejmë në favor për ne, që të jemi më të përqendruar dhe të fokusuar tek objektivat që kemi këtë vit. Pra, të mbrojmë të dy trofetë që fituam sezonin e fundit.
Në cilësinë e një lojtari me eksperiencë, kë shikoni si rival kryesor në garën për titullin kampion?
Këtë sezon shikoj një kampionat më të fortë dhe më të balancuar se vjet. Ne, Partizani, Tirana, Vllaznia, Dinamo, apo edhe Elbasani, mendoj se do të jemi ekipet që do të luftojmë për pjesën lart të renditjes, pa harruar edhe Laçin, që ka bërë mjaft mirë vitet e fundit.
Kjo Egnatia është më e fortë, apo më e brishtë se sezonin e shkuar, duke iu referuar lojtarëve që ka në dispozicion, apo largimeve?
Këtë gjë nuk di ta them unë, do ta tregojë koha. Ajo që di të them është se sezonin e fundit kishim një super ekip. Kemi dominuar çdo kundërshtar dhe kemi merituar gjithçka që kemi fituar. Këtë vit mbetet për t’u parë kjo gjë.
Si kapiten, cili është mesazhi që keni për ekipin para nisjes së sezonit të ri?
Mesazhi im është i shkurtër dhe i qartë: të mbrojmë atë që fituam vjet! Na pret një rrugëtim mjaft i vështirë, por të jemi me “këmbë në tokë”. Me harmoni, disiplinë në grup dhe me stërvitje arrihet çdo gjë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"