Malomo: Te Bylisi nuk ndihem i huaj, lë gjurmë në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2024 | 23:59

Malomo: Te Bylisi nuk ndihem i huaj, lë gjurmë në Shqipëri

Bylisi është dalluar si klubi që ka ditur të zgjedhë, kur bëhet fjalë për lojtarët e huaj apo talentet nga Afrika, Brazili dhe jo vetëm. Këtë sezon në radhët e skuadrës së parë bie në sy një futbollist, i qetë dhe punëtor si Malomo.

images-15

Ky i fundit ishte autor i një goli në fitoren me Bylisin, që rezultoi si një dhuratë për veten në përvjetorin e 21-të të tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, nigeriani flet për jetën në Ballsh, por edhe qytetet që ka vizituar në Shqipëri dhe synimet që ai ka me Bylisin këtë sezon dhe në tërësi në karrierën e tij.

Malomo, nga Nigeria në Ballsh, si erdhi kjo eksperiencë për ju?

Në verë më propozuan që unë të luaja në Europë te Bylisi, që në atë periudhë drejtohej edhe nga patrioti im, Emanuel Egbo. Nuk dija shumë për Shqipërinë dhe Ballshin, por pashë që do të luaja në elitën e futbollit shqiptar.

Në Nigeri isha pjesë e një prej klubeve më të njohura, Shoting Stars Ibadanit, ku isha titullar dhe kapiten. Kur hyra në historikun e Bylisit, mësova se prej një dekade e gjysmë ka pasur në gjirin e vet lojtarë afrikanë dhe shumë nigerianë. Madje ma ka sugjeruar edhe miku im Adebajo, që ka qenë mbrojtës te Bylisi 10-të vite më parë dhe tani është menaxher.

Si ka qenë për ju ambientimi në Ballsh?

Pak vështirë fillimi, normalisht është një eksperiencë e re, në një shtet ndryshe, por fakti që do të luaja në Europë më bëri që ta marr me optimizëm dhe t’i përvishem punës. Gradualisht jam përshtatur, por të jem i sinqertë nuk jam ndier kurrë i huaj. Sapo erdha gjeta Egbonë, trajner në atë periudhë, por edhe shumë lojtarë afrikanë dhe brazilianë. Njësoj si në Europë.

Si është jeta në Ballsh?

Shumë mirë ndihemi, sepse e thashë se jemi shumë të huaj, jemi ne lojtarët e skuadrës së parë, por janë edhe të tjerë nga akademia, bashkëkombës të mitë. Kështu që kemi edhe njëri-tjetrin. Në qytet na respektojnë, sepse kur kemi kohë të lirë, kur luhen ndeshjet europiane, ne i shohim së bashku.

Është qytet i vogël, por askush këtu nuk na trajton si të huaj. Na respektojnë shumë. Personalisht, pas ndeshjes me Vllazninë, në qytet më kanë ndaluar, më kanë përshëndetur dhe më kanë dhënë kurajë që të vazhdoj të shënoj gola për skuadrën.

Cili është shoku me të cilin qëndroni më shumë në ekip?

Unë kam një natyrë të qetë dhe shkoj shumë mirë me të gjithë. Jemi shumë të huaj dhe këtu nuk kemi dallime, sepse shumicën e kohës ne e kalojmë së bashku, në hotel dhe qytet.

Cilat qytete të pëlqejnë më shumë?

Nuk kam qëndruar gjatë, por krahas Ballshit, më ka pëlqyer shumë Gjirokastra, ku ne kemi kryer edhe fazën përgatitore në atë qytet, por edhe Tirana, Fieri apo Vlora, që i kam vizituar.

Çfarë synon Malomo në karrierën e tij?

Jam te Bylisi dhe dua që të vazhdoj të luaj dhe të shënoj gola, sepse vjet kam shënuar 7 herë në Superligën nigeriane.

Dua që këtu të lë gjurmë. Unë i kam parë ekipet. Ne jemi një skuadër me djem të rinj dhe ajo që dua të them është se për mënyrën sesi ne luajmë, jemi më mirë se ekipet pretendente në qarkullim topi. Por duhet që të përmirësohemi dhe më shumë, sepse i kemi mundësitë dhe dua që nëpërmjet Bylisit të luaj në një kampionat të njohur në Europë dhe të vesh fanellën e Nigerisë A.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"