Mallkimi i gjunjëve, 7 të dëmtuar në 14 muaj! Reali, një nga klubet më të prekur
Rreziku i një këputjeje të ligamentit të kryqëzuar, që këtë herë ka prekur Karvahalin, po krijon panik në Madrid.Në më pak se 14 muaj ka pasur shtatë raste mes ekipit të parë dhe lojtarëve të të rinjve, të cilët kanë pësuar dëmtime të tilla të rënda. Një mallkim i plotë. Seria e tmerrshme filloi më 10 gusht të vitit të kaluar, me portierin Kurtua. Një përplasje e rastësishme, gjuri i mbërthyer dhe gjiganti në tokë “de facto”.
Thirrjet e tij prej dhimbjes pushtuan Valdebeban dhe mjekët zbuluan shpejt se ligamenti i kryqëzuar kishte bërë “krak”. Kur belgu nuk kishte kaluar as në sallën e operacionit për t’u operuar, ishte radha e Militaos, në Bilbao, vetëm tri ditë më vonë. Makthi nuk mbaroi këtu. Më 17 dhjetor, në “Bernabéu” dhe gjithashtu kundër Vijarrealit, siç ndodhi të shtunën e kaluar me Karvahalin, Alaba ishte viktima. Rasti i tretë në të njëjtin sezon.
“Nuk kam parë diçka të tillë në karrierën time”, deklaronte asokohe Ançeloti.
Në rastin e austriakut, me një yll negativ. Sepse dëmtimi i tij nuk preku vetëm ligamentin e kryqëzuar, por u shoqërua dhe me dëmtimin e tendinave dhe të meniskut! Edhe pse Alaba nuk është kthyer ende dhe nuk pritet ta bëjë këtë të paktën deri në muajin e ardhshëm, fara e keqe e dëmtimeve të rënda dukej se ishte zhdukur. Rikthimet e suksesshme të Kurtuasë dhe Militaos në kohë rekord, ku lapën dhe finalen e sezonit duket se i kishin shpërndarë retë e errëta.
Por përgatitjet e verës kthyen problemet. E keqja shtriu tentakulat e saj edhe në akademinë e bardhë. Mesonero, një nga yjet e të rinjve, ra i pari në fillim të korrikut. Pas tij ishte radha e Çezar Palasios në miqësoren kundër Milanit në Çikago dhe kur ai mezi kishte dalë në fushë për shtatë minuta. Po në gusht, ishte Joan Martinez, i mbiquajturi “Ramosi i ri” dhe që kishte mahnitur Ançelotin, ai që pësoi të njëjtën fatkeqësi. Viktima e fundit është kapiteni Karvahal. Kronikë e zezë në fushën e mjekësisë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"