“Maksimumi që mund të bëjë ekipi është pjesëmarrja në ‘play-off’”, Prifti: Apolonia kaq mundësi ka, elita…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 16:40

“Maksimumi që mund të bëjë ekipi është pjesëmarrja në ‘play-off’”, Prifti: Apolonia kaq mundësi ka, elita…

Ish-futbollisti Andi Prifti fut në “skaner” Apoloninë. Ecuria e deritanishme, defektet që kanë shfaqur në 22 javë, faza e tretë në prag dhe objektivat e mundshëm, kalojnë në “lupën” e ish-mbrojtësit.

andi prifti, apolonia

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai vlerëson paraqitjen e fierakëve në dy fazat e këtij sezoni. Sipas tij, Apolonia i ka marrë maksimumin këtij kampionati, por ngjitjen e quan të vështirë.

Pas 22 ndeshjeve të zhvilluara, Apolonia është në vendin e pestë. Si e vlerësoni këtë ecuri?

Të tregohem i sinqertë, ecuria e deritanishme është e barasvlershme me forcën reale dhe mundësitë konkrete që kanë. Duke parë kontingjentin e lojtarëve që ka Apolonia, mendoj se ka marrë maksimumin e pikëve. Renditja është e kënaqshme. Aq ishin mundësitë, aq pikë u morën.

Pse janë kaq mundësitë?

Ky është maksimumi i Apolonisë dhe për mendimin tim kjo skuadër nuk mund të shkojë më larg se sa një vend i sigurt në fazën “play off”. Kjo mundësi e dytë për t’u ngjitur në elitë duhet të shfrytëzohet më së miri, pavarësisht specifikës dhe vështirësisë.

Skuadra ka pasur edhe luhatje të frikshme, veçanërisht në tre muajt e fundit. Çfarë ka ndikuar?

Fillimisht ka ndikuar ngarkesa dhe rritja e vazhdueshme e emocioneve. Së dyti, grupi aktual i lojtarëve është në moshë relativisht të re, u mungon eksperienca. Së treti, jemi në një fazë të nxehtë të sezonit, ku të gjitha skuadrat janë në presionin e vazhdueshëm të pikëve, ndërsa Apolonia komode dhe e qetë në “play off”. Së katërti, ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve. Me ardhjen e trajnerit Mërgjyshi, besoj se do jenë 100% në “play off”, ndonëse ia kanë ndërlikuar pak punët vetes.

A e shikoni Apoloninë pretendente për elitën përmes “play off”-it?

Mbetet një ëndërr. Është shumë e vështirë me kontingjentin që kanë. Por në futbollin e sotëm, kurrë mos thuaj kurrë. Klubi, trajneri dhe lojtarët duhet të besojnë verbërisht deri në ndeshjen e fundit.

Si e vlerësoni grupin aktual të lojtarëve?

Apolonia ka një grup lojtarësh cilësorë, premtues dhe me perspektivë. Janë të rinj me plot dëshirë dhe uri për të bërë shumë mirë dhe për të arritur shumëçka këtë sezon. Ata po japin dhe marrin maksimumin, por skuadrës i mungon disi eksperienca dhe pjekuria në sfidat vendimtare. Brenda dy-tri muajsh janë lënë pikë me rivalët më të afërt, si Bylisi, Elbasani, Flamurtari, Vora dhe Korabi.

Personalisht, çfarë prisni nga faza e tretë e sezonit?

Unë pres vetëm të sigurojnë matematikisht vendin në “play off”, sepse vetëm kaq munden të bëjnë. Nga ana tjetër, vërej që klubi nuk është kaq i dhënë pas Superiores. Duket se janë më të interesuar për të promovuar dhe shitur lojtarët e rinj të akademisë.

Në fund, a keni një këshillë për drejtuesit fierakë?

Për këtë sezon nuk ka më vlerë, por këshilla ime e vetme është t’i besojnë projektit të trajnerit ekspert, Artan Mërgjyshi. T’i japin kohën e duhur dhe t’i lënë dorën e lirë në periudhën e merkatos së ardhshme, në mënyrë që të ketë një ndërthurje perfekte mes lojtarëve me eksperiencë dhe të rinjve. Merkato e fierakëve ndër vite lë shumë për të dëshiruar dhe pa diskutim duhet ndërhyrë më me cilësi.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"