Magani në fushë, bardheblutë e Tiranës “flakë” në stërvitjen e parë! Mici çan vetullën
Gugash Magani merr drejtimin e Tiranës. Ish-trajneri i Lushnjës, deri para pak javësh, ditën e martë arriti marrëveshjen me Refik Halilin dhe të mërkurën doli në stërvitje, duke marrë drejtimin e bardhebluve.
Ish-mbrojtësi i njohur i kampionatit shqiptar, rikthehet pas 9 viteve te Tirana, për të nxjerrë ekipin nga fundi i tabelës.
ZYRTARIZIMI – Një orë pas nisjes së stërvitjes së djeshme, ishte klubi bardheblu që konfirmoi trajnerin e ri të 26 herë kampionëve. “Klubi i Futbollit Tirana emëron në krye të pankinës bardheblu trajnerin Gugash Magani. Magani ka qenë edhe më parë në krye të Tiranës në rolin e trajnerit dhe është njohës i mirë i kampit bardheblu. Ai, së bashku me zëvendëstrajnerin, Klodian Dervishi, kanë marrë nën drejtim skuadrën në seancën stërvitore të ditës së sotme(djeshme)”, njoftonte dje KF Tirana.
PRAPASKENAT – Që në orën 9:00 të mëngjesit, të gjithë ishin në “Skënder Halili”. Duke filluar nga drejtorët Grent Halili, Agim Ibrahimi e deri te magazinierët. Të gjithë gati për trajnerin e ri. Magani mbërriti në orën 11:00 në “Skënder Halili”, i shoqëruar nga ndihmësi i tij Klodian Dervishi. Në fillim dyshja takoi drejtorët e skuadrës.
Më pas i gjithë stafi u ftua në zyrë për prezantimin me trajnerin e ri. Rreth 20 minuta takim dhe më pas, drejtuesit zbritën poshtë për të takuar skuadrën. Në një mbledhje të improvizuar me grupin në dhomat e zhveshjeve, u prezantua trajneri i ri i skuadrës.
STËRVITJA – Bardheblutë menjëherë nisën punën për sfidën e radhës në kampionat ndaj Bylisit. Magani foli me disa nga ndihmësit e tij dhe më pas u fut vet në vrullin e përgatitjeve. Pas ushtrimeve të zakonshme dhe atyre taktike, erdhi edhe ndeshja e zakonshme.
Në rreth 1 orë lojë, skuadra u pa shumë e përqendruar, madje luftarake për çdo top, aq sa Mici u ça në vetull pas një dueli me Zharmunin. E çuditshme apo jo, por në fushë, të gjithë donin të tregonin sesa të zotë ishin. Trajneri i ri nuk la asnjë shenjë preference mbi ekipin, duke përzier grupin. Edhe Përgjoni u aktivizua gjatë gjithë stërvitjes. Në fushë, mungonte Prengaj, i cili ka probleme në menisk dhe mund të kthehet pas ndeshjeve të kombëtares, për të mos thënë në dhjetor.
E KALUARA – Magani e ka drejtuar edhe më parë Tiranën, më saktë nga 1 dhjetori 2013 deri në 17 maj 2015. Trajneri ka 68 takime me bardheblutë, nga ku 36 fitore, 19 barazime dhe 13 humbje dhe me një mesatare 52.94% sfidash të fituara. Për koincidencë, Magani në aventurën e parë e ka nisur me barazim në kampionat kundër Vllaznisë, por më parë në Kupën e Shqipërisë ishte mundur nga Lushnja.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"