Magani i bindur te Tirana: Lojtarët janë të karikuar, e mundim Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2024 | 8:55

Magani i bindur te Tirana: Lojtarët janë të karikuar, e mundim Dinamon

Gugash Magani është i bindur se këtë herë është momenti i duhur që Tirana të fitojë. Edhe pse pranon se kundërshtari ka cilësi, sidomos në sulm ai sërish beson tek ekipi i tij.

magani

Në intervistën para takimit me blutë që luhet sot në Elbasan, peqinasi analizoi çdo situatë, duke filluar nga mbrojtja në sulm. Ai la të kuptonte se bardheblutë nuk i frikësohet askujt si dhe tha se derbi është i hapur dhe askush nuk është i avantazhuar në takime të tilla.

Rezultatet e fundit, por edhe renditja e bëjnë detyrim fitoren me Dinamon. Si e sheh Magani këtë situatë? Çdo takim është i vështirë. Aq më shumë derbi, por unë nuk mund të them se është detyrim fitorja dhe do ta fitojmë takimin. Futbolli është i paparashikueshëm. Ne do të futemi në fushën e lojës për të marrë maksimumin e pikëve. Edhe një herë tjetër e kam thënë se e veçantë është që lojtarët janë pak më shumë të karikuar, ndonëse është fundviti dhe mendjen e kanë te pushimet, sidomos të huajt. Gjithsesi, meqë është derbi, mendoj se do të jetë një autokarikim i futbollistëve. Flasim për derbin.

Për këtë sfidën me Dinamon që është e parafundit për këtë vit, çfarë do t’u kërkojë Magani lojtarëve? Po si në çdo ndeshje përgatitet strategjia për të marrë maksimumin e pikëve. Do t’u kërkojmë lojtarëve që të jenë më të kontrolluar te pjesa psikologjike dhe të mos humbin fillin e lojës. Kemi pasur shumë shanse. Të paktën në drejtimin tim duhet të kishim marrë të gjithë ndeshjet fitore, sigurisht edhe me pak fat.

Mungesa e rezultateve e ka futur ekipin në presion? Patjetër që presioni sportiv është prezent. Ne mundohemi që të fusim te lojtarët presionin artificial. Një skuadër që kërkon të jetë sa më lartë në tabelë dhe të luftojë për trofe apo diçka tjetër, presionin nuk duhet ta diskutojë dhe ta kthejë në energji pozitive. Megjithatë unë mendoj se skuadra është e karikuar. Lojtarët janë të përgjegjshëm dhe çdo njeri e di detyrën e tij.

Kundërshtari ka dy emra të rrezikshëm në sulm. Sa ju shqetëson ky fakt dhe si mendoni t’i ndalni? Çdo lojtar ka rëndësinë e vet në takim. Çdo skuadër është e avantazhuar nëse repartin ofensiv e ka të fortë. Në këto kushte, normalisht që ata janë të fortë. E kam vëzhguar Dinamon në sfidat e fundit, por Mandela nuk ka luajtur. Gjithsesi, nuk është vetëm Mandela apo Zabërgja te Dinamo. Ka edhe futbollistë të tjerë. Do të veçoja Vilën që e kam stërvitur vetë te Teuta dhe skuadra ka pasur rezultate të mira këto kohë.

Diferenca e pikëve mes dy skuadrave, a reflektohet edhe në fushë? Në derbi, diferenca e pikëve nuk hyn fare. Na ka ndodhur se kur kemi qenë mirë ne nuk kemi marrë rezultat pozitiv dhe anasjelltas. Ndeshjen do ta ndajë kontrolli i të gjithë elementëve të ndeshjes, taktik, fizik dhe psikologjik.

Çfarë duhet të bëjnë më shumë sulmuesit tuaj që të shënojnë? Në çdo analizë kur skuadra nuk shënon shigjetohemi ne trajnerët. Kemi punuar për finalizimin. Është edhe një ngërç psikologjik. Nëse ekipi në situata të veçanta shkon afër fundit, por nuk finalizon me gol, në mes është cilësia dhe qetësia e lojtarëve.

Dembele dhe Kola kanë oferta për në janar. Jeni dakord që të largohen? E sigurt është që çdo trajner do në skuadër lojtarët më të mirë, sepse është më i qetë në fushë. Unë jam me politikat e klubit, por kjo është çështje e brendshme dhe do ta diskutojmë mes nesh.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"