Luzi-Besa si një miniderbi, Magani: Do të jetë spektakël, pres një stadium të tejmbushur
Tifozët nga Luzi, që u rritën duke parë Be sën e Kavajës, të shtunën do të jenë kundërshtarë të ekipit që u mësoi futbollin. Tashmë Luzi 2008 është një realitet dhe ka klubin e vet. Të dyja ekipet i përkasin së njëjtës bashki, asaj të Kavajës, dhe ky takim mund të quhet një miniderbi, sepse derbi i madh ka qenë gjithnjë Besa-Teuta, ndërsa ai i vogël Besa-Egnatia. Afërsia gjeografike, vetëm 10 kilometra nga qendra e Kavajës, jep mundësinë që tifozët verdhezinj të jenë prezentë në sfidën e së shtunës, në orën 13:00.
Pikërisht te ky element ndalet trajneri i Besës, Gugash Magani, që beson se të dyja tifozëritë do të shijojnë një ndeshje spektakli. “Rrallë ndodh që dy ekipe të një bashkie dhe kaq pranë, të luajnë mes tyre në Kategorinë e Parë.
Për dekada të tëra luznjakët brohoritën Besën dhe iu gëzuan fitoreve të saj, por kohët evoluojnë dhe tani kanë ekipin e tyre. Do të jetë një ndeshje ku të dyja tifozëritë do të jenë bashkë dhe i ftoj të vijnë të shumtë në numër për të kaluar dy orë argëtuese. Është bukur, pasi deri dje një tifozëri e përbashkët, sot gëzojnë me ekipet e tyre. U ndala këtu më shumë, pasi në fund të fundit futbolli luhet për ata dhe e kemi detyrim për të dhënë më të mirën tonë në fushë”, ka thënë Magani gjatë një bisede për “Panorama Sport” në prag të duelit të së shtunës.
SITUATA
I pyetur se çfarë pret nga Besa e tij në këtë miniderbi, trajneri preferon që këtë t’ia lërë fushës. “Gjendja psikologjike te lojtarët tanë është e lartë, pasi vijmë pas një fitoreje të thellë. Jo pak herë ndodh në futboll që ekipet bien në eufori.
Duhet ta harrojmë atë fitore me Turbinën. Luzi 2008 ka një ekip të ri, por ambicioz. Janë të rinj që vrapojnë shumë, kanë dëshirë e pasion të madh, ndërsa ne kemi gjithë përvojën dhe përbërjen e gërshetuar dhe këtë duhet ta dëshmojmë në fushë. Në këto situata, nëse më pyesni për rezultatin teknik, preferoj që këtë parashikim të mos e bëj, por t’ia lë fushës. Si Luzi ashtu edhe Besa, në këto momente kanë nevojë për pikë.
Ju kujtoj se pavarësisht që Luzi 2008 është ekip i Kavajës në përbërje nuk ka asnjë kavajas, çfarë do të thotë se emocionalisht ata nuk janë të ngarkuar, pasi nuk e kanë ndier ndonjëherë fanellën e Besës, apo të kenë bërë tifo për të. Kjo do të thotë se përtej emrave, Besa do të luajë ndaj një ekipi që e trajton si çdo klub tjetër. Është Besa ajo që mund të ndikohet nga emocionet, pasi e vlerëson Luzin 2008 si ekip të qytetit të vet. Uroj që para çdo rezultati të fitojë loja korrekte dhe të pranishmit të shijojnë një futboll të bukur”, përfundoi Magani.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"