Lushnja “zgjohet” me Besën, flasin dy trajnerët/ Magani: Ishin pikë të vuajtura. Pashja: E pësuam nga një rast
Lushnja është rikthyer te fitorja para 1200 tifozëve. Mundi 2-1 Besën, në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe ka blinduar vendin e shtatë në renditje. Si mos më keq po shkon puna për kavajasit, i shpëtojnë vendit të parafundit në sajë të golavarazhit. Pas ndeshjes dy trajnerët deklaruar për “Panorama Sport” pikëpamjet e tyre në lidhje me ndeshjen.
Magani: U kthyem, por ishin pikë të vuajtura
Lushnja është rikthyer te fitorja, por për Gugash Maganin ishin tri pikë të vuajtura. Gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes për gazetën, trajneri thotë: “Nuk bëmë ndonjë ndeshje shumë të mirë, sikurse dy të tjerat në fushën tonë. Për shkak të presionit të pikëve vjen kjo, pasi kemi qenë dhe jemi sërish në pozita jo të mira. Jemi larg objektivave. Mendoj që ishte një fitore e vuajtur kjo… Loja është 95 minuta dhe duhet të jesh i përqendruar. Do të analizojmë gjithçka, siç bëjmë në çdo ndeshje. Ka disa momente kur skuadra nuk shfaqet ashtu si në stërvitje”. Verdhejeshilët u barazuan katër minuta para fundit, duke rrezikuar jo pak.
E megjithatë, peqinasi mendon se kjo erdhi për meritë të kundërshtarit. “Unë mendoj që edhe Besa bëri një paraqitje të mirë. Pas kësaj ndeshje dua t’i uroj suksese. Është një skuadër që e kam për zemër. E kam drejtuar tri herë. Kam luajtur edhe futboll në Kavajë. Por në anën tjetër, jam shumë i kënaqur për fitoren e skuadrës sime. Jemi në pozita komode pikësh, por jo shumë të mira. Do të punojmë edhe më shumë që të rrisim performancën e lojës dhe të pikëve. Mendoj, që edhe fundi i vitit do të shfaqet me një analizë shumë të mirë, sepse kemi bërë shumë gabime”, përfundoi numri një i pankinës.
Pashja: E pësuam nga një rast pa pretendime
Besës i iku një tjetër pikë në fund. Nuk është e para herë që ndodh dhe Lorenc Pashja nuk di çfarë emri t’i vendosë. Pas ndeshjes, trajneri u shfaq shumë i dëshpëruar për humbjen e pësuar në “Roza Haxhiu”. “Në futboll duhet vlerësuar çdo sekondë e lojës. Ndëshkohemi në fund, në minutën e 95-të konkretisht dhe nga një rast pa pretendime do të thosha unë. Një lojtar kundërshtar që arrin të na shënojë golin në mes tre lojtarëve tanë… Por problemi më i madh është që diku tjetër, nuk bëhet lojë efektive. Shumë vonesa, shumë ndalesa. Kjo të mërzit mua më shumë. Normalisht, që një nga ekipet do të fitojë.
Në momentin që ka ndalesa, bie ritmi i lojës. Kjo është e ditur, por çështja është që iku bukuria, shpejtësia, dinamika e lojës. Janë të pakuptueshme këto”, tha trajneri, duke u ankuar për ndërprerjet e vazhdueshme. Teksa u ndal te pozitat që kanë në renditje, peqinasi i stolit të kavajasve tha: “Situata është e vështirë. Por, kam besim maksimal që ne do të dalim nga kjo. Besoj që ndeshjen e radhës do të kërkojmë ta fitojmë me çdo kusht, në kuptimin e mirë. Duke bërë maksimumin në çdo seancë stërvitore, për të shkuar te fitorja në ditën e ndeshjes. Shumë pak pikë na ndajnë nga ajo zonë që është jashtë rrezikut”.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"