Lushnja pa Metën, mbrojtësi: Nuk e meritoja pezullimin. Spaho: Të bëjmë mirë, e mposhtim Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2024 | 17:50

Lushnja pa Metën, mbrojtësi: Nuk e meritoja pezullimin. Spaho: Të bëjmë mirë, e mposhtim Apoloninë

Futbollisti i linjës së majtë te Lushnja, Fadil Meta, është dënuar me 3 ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtarë. 29-vjeçari do të mungojë në derbin e së shtunës me Apoloninë, por edhe në dy ndeshjet e mbetura për vitin 2024 ndaj Besës dhe Burrelit.

FADIL META LUSHNJA

Në një reagim për “Panorama Sport”, mbrojtësi verdhejeshil thotë: “Ishte një ndërhyrje e qëllimshme nga kundërshtari. Revoltimi im ishte vetëm një shtyrje e lehtë. Nuk e meritoja këtë dënim, sidomos në këtë moment kur presim një ndeshje shumë të rëndësishme, si derbi me Apoloninë. Më vjen keq që nuk do të jem në atë takim për të dhënë maksimumin tim. Thjesht, kam një ‘peng’, doja shumë të isha në fushën e blertë në këtë ndeshje”.

Mikel Spaho- Lushnjarët po i japin dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të derbit me Apoloninë, që do ta luajnë nesër në stadiumin “Roza Haxhiu”. Seanca e radhës stërvitore është zhvilluar në fushën sportive të Plugut. Atmosfera në kampin verdhejeshil është optimiste. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-portieri dhe kapiteni i Lushnjës, Mikel Spaho, thotë se ndeshja fitohet në fushë. Aktualisht, 42-vjeçari mban postin e trajnerit të portierëve të Lushnjës.

“Entuziazmi pas fitores me Kastriotin është në maksimum. Java përgatitore ka shkuar mirë. Jemi në fazën përmbyllëse të përgatitjeve të derbit me Apoloninë. Është një ndeshje me specifikë të veçantë, sepse të gjithë lojtarët janë shumë të karikuar. Për vetë karakterin dhe natyrën që ka kjo ndeshje, presim ta fitojmë. Fusha është ajo që do të flasë. Derbi nuk ka favoritë. Çdo lojtar duhet të japë maksimumin dhe të zbatojë detyrat. Lushnja e do me patjetër këtë trepikësh. Futbollit nuk i dihet asnjëherë, ndaj duhet ta kërkojmë fitoren në fushën e lojës. Nuk e gjykojmë Apoloninë për pikët që ka. Nuk e meriton Apolonia të jetë në atë pozicion, pasi ekipi ka një kontingjent të mirë lojtarësh.

Ndaj, jemi përgatitur që ta thyejmë dhe ta fitojmë ndeshjen. E njohim kundërshtarin, e njohim forcën e tij. E kemi mposhtur në fazën e parë. Luan mirë si skuadër jashtë fushës dhe në disa të tilla ka marrë pikë. Duhet të kemi kujdes kundër një kundërshtari që nuk i meriton pikët që ka. Të jemi të vëmendshëm dhe të impenjohemi maksimalisht. Të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të kërkojmë fitoren. Fiton ai që angazhohet dhe lufton më shumë. Sigurisht, që fiton edhe ai që gabon më pak”, deklaroi Mikel Spaho.

 

7 sezone

ka Lushnja larg elitës së futbollit shqiptar, ku për herë të fundit ka milituar në Superiore në edicionin 2017-2018. Në dy vitet e fundit Lushnja e ka siguruar mbijetesën në të Parën me ndeshje shtesë.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"