Lushnja në situatë të vështirë, Magani: Dorëheqje? Kurrë nuk dorëzohem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2023 | 23:43

Lushnja në situatë të vështirë, Magani: Dorëheqje? Kurrë nuk dorëzohem

Gugash Magani nuk dëshiron që të dorëzohet, por hapur e thotë: “E meritoj shkarkimin”. Tjetër i mërzitur pas humbjes së pësuar në Peqin, trajneri i Lushnjës deklaroi se mbetet në pritje të vendimit të kryebashkiakes Ersielda Sefa.

MAGANI

“Nuk e prisja kurrë këtë situatë. Pesë ndeshje, tri pikë janë shumë pak edhe për mua. Pres vendimin e kryetares së bashkisë, që është edhe presidentja jonë. Në të njëjtën kohë jam shumë i zhgënjyer nga disa prej lojtarëve, pasi nuk është hera e parë që bëjnë gabime individuale. Por, po ju them vetëm diçka, unë nuk jap dorëheqje.

Normalisht e meritoj të shkarkohem, pasi të shohësh shifrat është…. Në këto raste trajneri merr përgjegjësitë më të mëdha. Dhe kur them nuk jap dorëheqjen, më kuptoni nuk e kam për shkak të kontratës apo financave. Unë jam një njeri që nuk dorëzohem kurrë. Do të vendos pikat mbi ‘i’ nëse më lejojnë të vazhdoj. Edhe pse kanë kaluar pesë ndeshje dhe unë nuk kam asnjë lloj justifikimi për këtë. Rezultatet flasin vetë.

Është një nga periudhat më të errëta të karrierës sime”, tha fillimisht numri një i pankinës së verdhejeshilëve. Lushnja pësoi katër gola në pjesën e dytë dhe këtë tekniku e quan shthurje. “Futëm lojtarë që të kapnim kundërshtarin, meqë luante me tre mbrojtës. Jo se luajtëm keq, por bëmë gabime individuale.

Po t’i referohemi golit të parë dhe të dytë, nuk e kuptoj dot që mbrojtësi është kundërkohë dhe futet sparkatë pa lidhje fare. Pastaj kemi punuar shumë me goditjet në pozicion standard, marrim një gol shumë të evitueshëm. Ndërsa goli i dytë ishte shthurje totale e lojtarëve që kishim shumë besimin tim”, përfundoi Magani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"