Lushnja akord me Xhemalajn, rinovon mbrojtësi Muça
Klubi lushnjar ka arritur akordin me mesfushorin qendror Orian Xhemalaj. 35- vjeçari do të lërë Vorën, pas dy sezoneve radhazi, për të kaluar te Lushnja.
Mesfushori me eksperiencë ka firmosur kontratën, në selinë e verdhejeshilëve dhe i është bashkuar skuadrës së Maganit. Xhemalaj ka luajtur edhe për Erzenin, në Kategorinë e Parë si dhe për Egnatian, kur rrogozhinasit drejtoheshin nga trajneri Magani dhe kalonin në Superiore.
Xhemalaj ka një karrierë të gjatë dhe ka luajtur edhe për Teutën e Dinamon, në Superiore. Gjatë kësaj periudhe klubi ka afruar edhe emra të tjerë si Albi Xhabrahimi, Fjoralb Deliaj, Kristi Joti, Marjus Koreshi, Fadil Meta, Sali Kumani, Redi Kaçanolli dhe Ermal Jonuzi.
Trajneri Magani ka deklaruar për “Panorama Sport” vështirësinë që ka pasur klubi për merkato, duke iu referuar faktit që asnjë lojtar nuk vjen nëse s’merr para “kesh”. Ndërsa të larguar mund të quhen Matjë Lëru, Paolo Kasmollari, Erjon Dragoj, Xherrison Uilli, Xhejms Ajinde, Granit Islami, Dejan Andoni, Henri Sulovari, Kristian Preknicaj, Orjel Murati, Ervis Gjyla, Altin Kananaj dhe Anxhelo Duka.
RINOVIMI – Te Lushnja ka rinovuar edhe mbrojtësi Ylber Muça. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” mbrojtësi 25-vjeçar shprehet: “Kam firmosur kontratën dhe kam rinovuar te Lushnja. E kam kaluar dëmtimin. Jam 100% tani dhe bëj stërvitje normalisht me ekipin tim”, tha Muça. Mbrojtësi 25- vjeçar ishte edhe sezonin e kaluar pjesë e Lushnjës, por një dëmtim i rëndë nuk e lejoi të luajë deri në fund.
ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"