“Luaj kudo në fushë, vetëm Milani të fitojë”/ Pulisiç: Çfarë krenarie të mundësh Realin në “Bernabeu”
Sërish një tjetër asist dhe një performancë totale për Kristian Pulisiçin në mbrëmjen magjike kuqezi në “Bernabeu”.Amerikani ishte ai që dha asistin për golin e parë të Çaut dhe mori pjesë në aksionin e golit të dytë të Moratës. Në këtë sezon ai ka qenë një nga liderët e skuadrës së Milanit edhe në kampionat duke shënuar dhe duke asistuar. Numri 11-të i kuqezinjve ishte protagonist pas ndeshjes në “CBS”.
EMOCIONET- “Një rezultat i jashtëzakonshëm për ne. Të fitosh në Madrid nuk është aspak e lehtë. Ata janë skuadër historike në Champions dhe është e vështirë të luash në ‘Bernabeu’, për më tepër të bësh rezultat. Djemtë ishin fantastikë dhe treguan që Milani është një skuadër e madhe. E dinim që do të ishte shumë e vështirë, por me besim dhe duke dhënë maksimumin në fushën e lojës mund të bënim mrekulli”.
POZICIONI- “E kam të vështirë që të zgjedh një pozicion në fushë ku jap më të mirën. Kudo që të jem në treshen sulmuese mund të sulmoj dhe të ndihmoj skuadrën time të shënoj. Kjo më pëlqen. Këtë vit kam luajtur shpesh edhe në qendër. Mund të përshtatem mirë kudo. Nuk mund të them cili është pozicioni im i preferuar. E rëndësishme është që të jap më të mirën në fushë dhe të ndihmoj Milanin për të arritur rezultatet pozitive”.
KRENARI- “Trajneri na tha në fundjavë që ta shijonim fitoren në kampionat dhe të pushonim mirë sepse në mesjavë kishim një ndeshje të madhe dhe nëse nuk e fitonim, as ajo me Monzën nuk kishte vlerë. Ia dolëm dhe kjo na bën shumë të lumtur. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi sepse kalendari sa vjen dhe bëhet më i vështirë. Futbolli i tillë është, pas festës në Madrid është koha për të menduar për ndeshjen e ardhshme”.
GJUHA- “Italishtja ime është duke u përmirësuar. Nuk është shumë e lehtë për mua, por shokët më kanë ndihmuar. E rëndësishme është që të kuptohemi në fushën e lojës”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"