“Lojtarët e trumbetuar dështuan”, Rustemi: Flamurtari s’ka bosht dhe identitet, ja gabimet taktike të kuqezinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2025 | 22:45

“Lojtarët e trumbetuar dështuan”, Rustemi: Flamurtari s’ka bosht dhe identitet, ja gabimet taktike të kuqezinjve

Arlind Rustemi mendon se Flamurtari ka probleme të theksuara fizike. Ish-futbollisti vlonjat do të preferonte që skuadra të niste sezonin me Oshafin, Trashin, Diavaranë, Ememen dhe Pjeshkën, pasi lojtarët që erdhën me bujë, rezultuan dështim.

ARLIND RUSTEMI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Rustemi nuk e shikon të lehtë vazhdimësinë. Sipas tij trajneri Moriero nuk e njeh ende ekipin. Si zv.trajner i Bylisit që është ndeshur më parë me Teutën, Rustemi ndihmon Flamurtarin me disa sugjerime.

Rustemi si e komenton situatën aktuale të Flamurtarit?

Nuk mund të flasim shumë pasi nuk e dinë programin që ka bërë stafi dhe mënyrën se si janë stërvitur dhe punojnë. Por me atë që shikojmë në fushë, mund të them se Flamurtari sot ka probleme të theksuara fizike. Nuk e di nëse do të kenë kohën e duhur për ta rikuperuar këtë problem, pasi skuadrat e tjera po vazhdojnë që të rriten fizikisht dhe nuk po rrinë në vend.

Po të shikosh edhe presionin e pikëve që do të kenë në ndeshjet e ardhshme është disi e vështirë që të mendosh tani që stafi që kanë marrë tani do të përqendrohen më shumë te kana fizike apo psikologjike. Një problem jo i paktë. Unë e shikoj të vështirë zgjidhjen e kësaj situate. Mos harroni ka ndeshje në fundjavë, mesjavë dhe sërish në fundjavë prapë. Nuk mund të përqendrohesh tek aspektet fizike pasi nuk ke kohë edhe të duash që të punosh.

Ku mendoni se ka gabuar Flamurtari?

Unë e kam ndjekur me vëmendjen fillimin e Flamurtarit. Ajo që më bëri mua përshtypje…Ku është gabuar në fillim? Përpos mënyrës se si është ndërtuar skuadra, sepse ne kemi ndërtuar një skuadër si emra. Nuk e kemi ndërtuar skuadrën me një bosht, me një shtyllë kurrizore. Unë pot ë shikoja që në fillim, kishim një bosht të mirë prej 6-7 lojtarësh që i kemi edhe sot në skuadër.

Fillimin e kampionatit do ta nisja me ata lojtarë, me Oshafin, Trashin, Diavaranë, Ememen, me kapitenin Pjeshka që nuk mund të lihej jashtë për kampionatin që ka bërë por edhe për çfarë përfaqëson. Jo se ne jemi të lidhur me një lojtar që ka kontribuar për Flamurtarin.

Ne morëm disa lojtarë, u varëm fanellën tek dhomat e zhveshjes dhe ua dhamë gati. Për mua dështuam. Të gjithë lojtarët që u trumbetuan si një merkato cilësore e gjetën fanellën të varur dhe në fushë nuk treguan asnjë lloj vlere.

Pse mendoni se në ndeshjen e parë as trajneri i ri Moriero, nuk e solli dot ndryshimin?

Trajneri dhe lojtarët e njohin mirë ndeshjen. Nga përvoja që unë kam, në stërvitje ka lojtarë që nuk japin maksimumin por kur vjen puna në ndeshje janë lider dhe marrin ekipin përdore. Testi më i mirë është ndeshja. Moriero nuk e njeh mirë skuadrën. Me zëvendësimet që bëri gaboi. Por gabimet vijnë si pasojë e mos njohjes së lojtarëve. Morieron nuk e bëjmë me faj se ka një javë që ka ardhur dhe duhet dhënë koha e duhur. Por nga ajo që pamë me Laçin ka bërë mirë.

Krijoi një skuadër me identitet. Atë që ne nuk e kemi parë në 6 javë tek Flamurtari. Nuk ka pasur ndonjë identitet skuadra. Unë që e kam parë si trajner, se e kam edhe detyrë që duhet të studio kundërshtarin, nuk e kuptoj Flamurtari luante me qarkullim topi, me tranzicion… Nuk e kuptoja dot identitetin e Flamurtarit se çfarë ka dashur trajneri të shpreh me këtë skuadër. Ka pasur shumë luhatje, dobësi në formacion dhe kjo tregon se stafi teknik është i dobët, nuk është i qartë që të marrë përgjegjësi.

Keni një koment për autogolin e Trashit?

Autogoli është një gabim që i ndodh çdo lojtari.

Si e gjykoni lojën e Trashit deri në atë moment të autogolit dhe a duhet të zëvendësohej?

Trashi deri në minutën e 60-të për aq sa luajti ishte lojtar që krijonte volum, rrezikshmëri. Është një lojtar i rëndësishëm për Flamurtarin. Është pikë referimi, duke parë edhe karrierën dhe eksperiencën që ka. Në rregull, Trashin e ndërroi për arsyet e tij taktike, se çdo njeri ka idetë e tij në kokë. Por në ato momente ne po humbitnim 1-0 dhe të fusësh në krah një lojtar si Erald Markun si mbrojtës të majtë është pak e dyshimtë.

Ne dimë që Marku nuk i ka cilësitë fizike që të shtyjë, ka cilësitë teknike, goditjet, kualitet topi, por nuk është për atë pozicion. Është e vështirë që një mesfushor qendre të luaj mbrojtës krahu. Është një mungesë bashkëpunimi me kolegët që ka në pankikë. Ose kanë pasur diçka në kokë që nuk u ka dalë në ndeshje dhe ne e gjykojmë tani nga jashtë. Për mua nuk i njeh ende lojtarët. Kjo solli edhe atë zëvendësim dhe pozicionim të Markut.

Luajnë me Teutën. Ju me Bylisin e keni provuar si kundërshtar, çfarë do të thoshit?

Ne me Bylisin jemi ndeshur dy javë para me Teutën. Është një kundërshtar relativisht i vështirë, pasi është i kujdesshëm në fazën mbrojtëse. Luajnë në një bllok të mesëm, janë kompakt dhe janë shumë pragmatist përpara. Po ta shikosh edhe nga golavarazhi kuptohet që është një skuadër që është e predispozuar të mbrohet se sa të sulmojë. Është një skuadër solide dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.

Si ndihesh në Ballsh te Bylisi?

U bë më tepër së dy muaj. Është një klub që ka një president është maksimalisht i përkushtuar ndaj klubit. Është prezent në çdo moment gjatë seancave. Edhe pas stërvitjeve kemi vazhdimisht takime të përditshme me stafin. Në këtë periudhë nuk ka shumë tifozë. Në çdo stadium mungojnë edhe njerëzit, pasi Ballshi është boshatisur edhe për arsye demografike.

Po ata njerëz që janë aty janë të pranishëm edhe gjatë seancave stërvitore dhe i ndjekin me vëmendje. Nuk përjetohet futbolli siç përjetohej një herë e një kohë. Ndihem mirë. Edhe ne jemi në një situatë jo komodë. Kampionati është i vështirë, por edhe ne shpresojmë të japim maksimumin dhe të dalim pozitiv në fund.

Pse mendoni se ka rënë numri i tifozëve në stadiume?

Skuadrat kanë shumë lojtarë të huaj. Kjo ka sjellë edhe rënien e numrit të tifozëve në stadium. Pasi tifozët duan që të shikojnë elementin vendas. Kjo ndoshta edhe ka boshatisur stadiumet tona.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL