Llazar Dushi: Me president privat, Lushnja do të njoh progres dhe ngjitje në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2025 | 0:20

Llazar Dushi: Me president privat, Lushnja do të njoh progres dhe ngjitje në elitë

Klubi i Lushnjës është zyrtarisht në shitje. Pas një muaji do të zhvillohet ankandi për shitjen e 100% të aksioneve, që zotërohen nga Bashkia e Lushnjës. Tashmë te njerëzit e sportit dhe dashamirësit e futbollit verdhejeshil ushqehen shumë shpresa, që klubi të kalojë me sipërmarrje, për të mirën e përgjithshme të futbollit lushnjar, që në dy dekadat e fundit ka qenë vetëm tre herë në Superiore.

LLAZAR DUSHI

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ish-sekretari i klubit, Llazar Dushi, shprehet se me një president privat, Lushnja do të shkojë drejt elitës.

DEKLARATA – “Privatizimi i klubit është një lajm shumë i mirë për disa arsye. Lushnja, duke pasur një president të zgjedhur nga ankandi, rrit performancën si klub në nivele të larta përfaqësimi. Nisur nga serioziteti që duhet të paraqesë presidenti i një klubi futbolli, kjo risi sjell edhe zhvillime. Presidenti duhet të ketë një staf profesionistësh në menaxhimin, jo vetëm të skuadrës, por të gjithë klubit në përgjithësi. Kjo do të thotë, që në çdo sektor të klubit të futbollit të ndjehet prezenca e presidentit në drejtimin e të gjithë strukturave të klubit. Drejtimi i klubit nga një president privat nënkupton jo vetëm drejtimin sportiv, por edhe drejtimin juridik të klubit, që do të thotë ka të drejtat e tij për të kërkuar në FSHF investime në infrastrukturë. Kemi një gjendje të infrastrukturës për të ardhur keq. Fusha kryesore e stadiumit “Roza Haxhiu” është jashtë çdo standardi për zhvillimin e ndeshjeve.

Anekset pranë stadiumit nuk janë funksionalë. Njëri nuk ka përmasat e duhura që të stërvitet skuadra. Ndërsa aneksi tjetër, ku u bënë dhe investime, është jashtë funksionit. Pra, fusha sportive e Plugut nuk mund të durojë ngarkesë stërvitore të ekipit kryesor dhe të akademisë. Unë rekomandoj që urgjentisht të ndërhyhet në infrastrukturë. Përzgjedhja e elementit dhe ndërhyrja në merkato të jetë e kujdesshme dhe profesionale. Kemi parë në disa sezone radhazi që lojtarë të merkatos aktivizohen shumë pak. Quhet merkato e dështuar, sepse nuk rezistojnë më shumë se gjashtë muaj dhe i zënë vendin një talenti të ri nga akademia. Unë kam besim që me president, Lushnja do të shkojë në pozicionin që i takon, drejt Superiores”, deklaroi Llazar Dushi, i cili në të shkuarën i ka kryer të gjitha etapat te Lushnja, si futbollist, trajner dhe sekretar klubi.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"