Lista e futbollistëve që rizgjodhën Tiranën, rekordin e mbajnë dyshja Muça-Kalari
Erjon Hoxhallari dhe Albi Doka ishin dy lojtarët që vendosën të mbyllnin aventurën jashtë Shqipërisë dhe të ktheheshin në shtëpi, duke zgjedhur sërish Tiranën. Gjithsesi, dyshja bardheblu nuk është e vetmja që ka braktisur Tiranën dhe më pas është detyruar të veshë sërish fanellën e 26 herë kampionëve.
Janë të shumtë lojtarët, që kanë bërë prapakthehu dhe kanë zgjedhur sërish kampionët. Dhe emrat janë nga më të ndryshmit. Shumica e tyre kampionë dhe kapitenë bardheblu. Ka edhe nga ata që e kanë bërë dy apo tri herë. Ka edhe të huaj, si Majkëll Ngo, Abrahami apo lojtarë të tjetër si Xhilberto.
REKORDET – Gentian Muça dhe Reinaldo Kalari mbajnë një rekord më vete. Të dy lojtarët janë kthyer tri herë bardheblu. Alban Bushi mban kohën më të gjatë të kthimit. Lojtari luajti për herë të dytë në sezonin 1997-1998.
E la Tiranën për Apollon Smyrnis dhe u kthye pas 4779 ditësh në sezonin 2010-2011, duke luajtur pesë ndeshje me Tiranën. Andi Lila u kthye pas 2978 ditësh, por nuk luajti asnjë minutë dhe veçse u prezantua. Tefik Osmani u kthye pas 2941 ditësh në sezonin 2019-’20, duke braktisur Teutën. Osmani kishte luajtur më parë me Tiranën dhjetë sezone. I fundit nga të kthyerit është Ervin Bulku që la kryeqytetin për Krivbasin dhe në sezonin 2014-’15 u vesh bardheblu pasi mbylli aventurën te Sepahani.
KTHIMET DYSH – Veç Muçës dhe Kalarit që janë kthyer tri herë bardheblu, janë edhe Alban Bushi, Blendi Nallbani, Elvis Sina, Ergys Sorra, Erion Dushku, Ilion Lika, Indrit Fortuzi, Jurgen Vrapi, Klodian Duro, Mario Morina dhe Nevil Dede. Të gjithë këta ish-lojtarë apo lojtarë kanë zgjedhur të jenë dy herë bardheblu në karrierë.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"