Lider te Teuta, Jazxhi: Jemi futur në ngërç, por rikthehemi me Tiranën
Artan Jazxhi është shpallur ‘Lojtari i Ndeshjes’. Mbrojtësi shtatlartë i dha pikën Teutës kundër Laçit dhe madje ishte shumë i përfshirë në aksionet sulmuese. Lojtari i bluve pati 2 raste të pastra për gol dhe mund të kishte dhënë dhe 3 pikët Edi Martinit. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet se Teuta do ringrihet dhe se në futboll ndodh që të kesh një moment jo të mirë.
Artan, sa i kënaqur je që u shpalle lojtari i ndeshjes?
Jam i kënaqur vetëm për trofeun dhe golin në aspektin personal, por në atë ekipor ndjej keqardhje që nuk arritëm të merrnim tri pikët e shumë dëshiruara.
Çfarë nuk shkoi kundër Laçit, u bënë 8 ndeshje pa sukses?
Kishim shumë probleme në pjesën e parë. Bëmë më mirë në të dytën. Barazuam, shtymë përpara, por prapë nuk jam i kënaqur. Është bërë shumë e vështirë kjo fitorja. Të shënojmë gola e kemi të vështirë. U bënë 8 ndeshje pa fitore. Jemi futur në ngërç. Kemi qenë mirë, por tani jemi futur në këtë situatë. Madje, pësojmë shumë. Të them të drejtën jam i pakënaqur. Nuk kemi ekuilibra në prapavijë. Uroj të kthehemi në gjendjen e mëparshme sa më parë.
A është e motivuar skuadra për t’u rikthyer tek ecuria pozitive?
Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër rezultatet e mira sjellin dhe një gjëndje më të mirë psikologjike, por nuk na mbetet gjë tjetër, duhet të vijojmë me këtë lojë të mirë dhe rezultat të mirë duke filluar që nga ndeshja e së hënës përballë Tiranës.
Keni hyrë në ditët anti-Tirana, si po përgatitet ekipi?
Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Harmonia dhe çdo gjë është në rregull, tani shpresojmë që t’ia dalim me sukses në ndeshjen me Tiranën.
Sa e vështirë mendoni se do jetë kjo transfertë?
Padyshim që Tirana kërkon përqendrim maksimal pasi është një skuadër shumë e mirë dhe ka cilësi brenda. Gjithsesi kundër Tiranës do të kërkojmë të rikthehemi te suksesi dhe të marrim një fitore.
Prisni një gol edhe me Tiranën?
Normalisht që në çdo ndeshje kam dëshirë të shënoj, jo vetëm kundër Tiranës, por e rëndësishme është të siguroj mos të pësojmë dhe më pas të shohim.
Z. QYPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"