Lider te Teuta, Beqja: Nxorëm mësimet e duhura, ja pse besoj te fitorja me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2024 | 21:10

Lider te Teuta, Beqja: Nxorëm mësimet e duhura, ja pse besoj te fitorja me Dinamon

Në vigjilje të ndeshjes të së dielës kundër Dinamos, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 16:30, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur mesfushori i Teutës Ledio Beqja, i cili ka analizuar këtë takim.

beqja

Beqja shprehet se Teuta pas disa ndeshjes pa fitore kundër Dinamos do të kërkojë tri pikët. Mesfushori i bluve shprehet se në këto momente nuk duhet të shihet renditja, por ndeshjet duhet të merren një nga një dhe llogaritë do të bëhen në muajin maj, atëherë kur kampionati të ketë përfunduar.

A është gati Teuta për duelin kundër Dinamos?
Nuk ka ndeshje të lehta pasi në Superiore çdo rival është i rrezikshëm. Kemi nxjerr mësimet e duhura nga sfida si me Vllazninë dhe po mundohemi të jemi gati për në fundjavë. Pas një jave jo shumë të mirë si ajo e kaluara duhet të marrim tri pikët.

Një trepikësh këtë javë do t’ju bënte shumë punë, si e shihni?
E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos pas asaj humbje në javën e kaluar. Kemi humbur ndeshjen e fundit dhe kemi barazuar ndaj Skënderbeut. Duhet të vijojmë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi.

Si po përgatitet brenda grupit kjo përballje?
Si për çdo ndeshje. Kujdesemi për aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Normalisht që për të fituar duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht jam gati.

Si Teuta dhe Dinamo vijnë në këtë ndeshje pas momenteve jo të mira. Sa e vështirëson kjo dhe a besoni te fitorja?
Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Dinamon. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.

Ekipet e kreut po fitojnë, mendoni se janë shkëputur shumë?
Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve të para. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet tona ndeshje pas ndeshje.

Cilët janë objektivat tuaj për këtë sezon?
Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri më tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"