Liço dhe Juri, Gvozdenoviç pret gola nga dy “sallaksë” për të thyer Laçin
Fitorja me Partizanin është lënë pas krahëve tani në Korçë dhe të gjitha energjitë janë përqendruar te përgatitja e ndeshjes së radhës me Laçin në transfertë.
Një ndeshje e vështirë kjo, ku korçarët do të kërkojnë të marrin maksimumin e mundshëm edhe për faktin se Laçi është ekipi që Skënderbeu nuk e ka mundur asnjëherë në këtë sezon në dy ndeshjet e luajtura deri më tani. Ndaj, në kushte të tilla, bardhekuqtë kanë edhe një arsye më shumë për të bërë ndeshjen më të mirë, me qëllim thyerjen e kësaj statistike sezonale. Fitorja me Partizanin ka mbushur me optimizëm dhe moral të lartë ekipin, që është duke bërë bilancin në lidhje me rikthimet dhe mungesat që do të ketë në këtë ndeshje.
Ajo më kryesorja mbetet gjendja e Frenklin, sulmuesit që mbante peshën më të madhe të ofensivës me golat e shënuar. Nga burime në klub bëhet me dije se dëmtimi duket i kaluar për lojtarin që edhe pse ende nuk është bashkuar me ekipin shpresa është e madhe që të mund të rikuperojë në kohë. Stafi mjekësor po bën gjithçka që është e mundur për ta vënë në dispozicion të trajnerit sulmuesin.
Edhe pse duket e vështirë për rikuperim “blitz” në ndeshjen ndaj Laçit, në Korçë besojnë për diçka të tillë dhe kjo mundësi nuk është e përjashtuar. Nga ana tjetër, Shaqe është gati dhe i rikuperuar plotësisht për të qenë nën urdhrat e trajnerit. Tani mbetet në dorën e Gvozdenoviçit nëse do të hedhë në fushë korçarin nga minuta e parë në krahun e majtë, apo do të vijojë të besojë deri te Vangjeli dhe Gërxho, të cilët kanë bërë mirë në dy ndeshjet e fundit.
PËRGATITJET
Nisur nga takimet e fundit që korçarët kanë luajtur deri më tani, puna në seancën stërvitore është përqendruar te goditjet e kuadratit. Janë shumë pak tentativa drejt portës kundërshtare nga ana e Skënderbeut përgjatë këtij sezoni, dhe për rrjedhojë diçka duhet të ndryshojë. Pikërisht me këtë është marrë më së shumti Ivan Gvozdenoviç dhe stafi i tij gjatë stërvitjes së djeshme. Aksione të rrjedhshme në sulm dhe finalizim drejt kuadratit kanë qenë dy pikat kyçe të punës së bardhekuqve duke mos neglizhuar edhe goditjet nga distanca. Duke pasur dy lojtarë me të majtë të “hidhur” si Liço dhe Juri, trajneri bardhekuq ka kërkuar më shumë iniciativa në momente të caktuara të lojës për të rritur përqindjen e goditjeve drejt portës. Pjesa tjetër e seancës është përqendruar te balanca në dy fazat e lojës, dhe përqendrimi në momentin e humbjes së topit për rikuperimin e pozicioneve në prapavijë.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"