Lëvizjet e Dinamos/ Edhe 2 goditje në merkato, në mbrojtje dhe në sulm
Bruno Dita dhe Dejvi Bregu, apo edhe kroati Mateo Murzek mund të quhen goditje të rëndësishme për Dinamon e sezonit të ri. Janë nga ato afrime big që ishin programuar nga klubi kryeqytetas për të pasur një skuadër me objektiva të qarta të paktën për Europën sezonin e ri.
Por asgjë nuk ka përfunduar për 18 herë kampionët e vendit, deri më 31 gusht pritet që me ta të bashkohen edhe dy lojtarë të tjerë me kualitet, që do të përforcojnë mbrojtjen dhe sulmin. Pritet që të jenë “qershia mbi tortë” e merkatos blu për këtë verë.
MBROJTJA – Pas lëvizje që kanë bërë deri tani, qendra e këtij reparti ka vetëm dy lojtarë për momentin, Rustem Hoxhën dhe Mateo Murzek. Për këtë arsye afrimi i një qendërmbrojtësi të tretë është detyra parësore e drejtuesve të Dinamos në merkato. Me skuadrën blu është bashkuar që në fillim të fazës përgatitore edhe Redinel Gjikola, i cili ka pasur shqetësime fizike. Po ashtë, në rast nevoje të skuadrës këtë rol mund ta bëjë edhe Dita, por gjithsesi afrimi i një mbrojtësi qendre natyral është i domosdoshëm. Gazeta mëson se po shihen disa pista lojtarësh të huaj për të konkluduar sa më parë me njërin nga kandidatët për të veshur fanellën blu. Për krahët e mbrojtjes kryeqytetasit kanë të gatshëm Meksin, Lorranin dhe Bekim Maliqin, i cili luan djathtas dhe majtas.
SULMI – Një tjetër afrim të rëndësishëm drejtuesit e Dinamos janë gati të bëjnë për majën e sulmit. Ata kanë marrë që në fillim të merkatos Mandelën nga Luzi për këtë pozicion, por kërkojnë më shumë garanci dhe rrjedhimisht një sulmues me më shumë eksperiencë. Bëhet fjalë për një nga rolet më delikate, që çdo skuadër vuan për ta gjetur, ndaj dhe klubi nuk ka dashur të nxitohet.
Kohë ka deri më 31 gusht, por sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë kufizohet tregu dhe pakësohen alternativat. Gjatë kësaj periudhe janë ndjekur profile të ndryshme, të cilët nuk i kanë bindur blutë. Në Itali me skuadrën është bashkuar në fakt një sulmues i ri, 18-vjeçari Françesko Dibra, por më shumë ai i takon të ardhmes së Dinamos. Po kërkohet një sulmues kalibri, i cili do të jetë titullar në majën e sulmit, duke u alternuar me Mandelën.
F.RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"