Levandovski “gjen” veten te Barça, nisja më e mirë në 5 vite
Robert Levandovski (36 vjeç) e ka nisur mjaft mirë sezonin në La Liga. Polaku ka rigjetur instinktin e “vrasësit” në zonë.Për të dytën ndeshje radhazi ai ishte vendimtar me golin e tij për t’i dhënë fitoren Barçës. Pas dy golave kundër Valencias në javën e parë, ai shënoi golin vendimtar në suksesin kundër Bilbaos (2-1). Pa harruar faktin se ndaj baskëve, polaku ka qenë i pafat në dy raste, teksa është ndalur nga shtylla. Tre gola në dy ndeshje që ftojnë optimizëm me atë që do të vijë në këtë sezon. Këta tre gola në dy javët e para të La Liga-s janë fillimi më i mirë i Levandovskit në tri sezonet e tij si lojtar i Barçës.
Por ato gjithashtu përmirësojnë rekordet e dy sezoneve të mëparshme me Bajernin e Mynihut. Në sezonin e tij të parë si lojtar i Barcelonës në atë 2022- 2023, polaku shënoi dy gola në dy ndeshjet e para të kampionatit falë dygolëshit të tij kundër Sociedadit, ndërsa në sezonin e kaluar nuk shënoi asnjë gol në dy ndeshjet e para në la Liga. Me Bajernin, Levandovski shënoi dy gola në dy ndeshjet e para të Bundesligës 2021-2022, me golat kundër Mënçengladbahut dhe Këlnit.
Në sezonin 2020-2021, Leva pati vitin e tij më të mirë në nivelin e realizimeve me 41 gola në 29 ndeshje në Bundesligë, por shënoi vetëm një gol në dy javët e para të kampionatit. Në atë sezon ai ishte nën komandën e Hansi Flik, i cili pas fitores kundër Bilbaos, nuk ngurroi ta vlerësonte sulmuesin si një nga arkitektët e mëdhenj të fitores. “Ai është një golashënues, një golashënues i lindur dhe goli i tij na ka dhënë tre pikë dhe fitoren. Roberti është shumë profesionist, ai e merr shumë seriozisht çështjen e gjendjes fizike, është çështje trupi, jo moshe”, tha Flik.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"