Lëkundet stoli i Flamurtarit, ja si mbijeton Agostineli. Idrizi takon Ferkon dhe i kërkon sqarim për trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2024 | 18:04

Lëkundet stoli i Flamurtarit, ja si mbijeton Agostineli. Idrizi takon Ferkon dhe i kërkon sqarim për trajnerin

Lëkundet stoli i Andrea Agostinelit. Zbritja “pikiatë” e kuqezinjve në vendin e tretë, ka cenuar jo pak pozitat e trajnerit italian. Pas humbjes 3-2 në Vorë, Flamurtari zbriti menjëherë nga vendi i parë në të tretin.

idrizi ferko

Pavarësisht se është vetëm dy pikë larg vendit të parë, që momentalisht mbahet nga Vora me 34 pikë, duket se në Vlorë e kanë një ultimatum, në veçanti për trajnerin Agostineli. Sinan Idrizi është përpjekur që të mos e vendos në presion skuadrën pas humbjes së fundit, duke fajësuar organizatorët e garës dhe situatat që ndodhën në atë ndeshje, por kjo nuk do të thotë se është i kënaqur sidomos pas atij rezultati zhgënjyes. “Panorama Sport”, mëson ekskluzivisht nga burime zyrtare pranë klubit se drejtuesit kanë një kusht të pa negociueshëm sa i përket trajnerit. Që Andrea Agostineli të qëndrojë në stol edhe gjatë vitit 2025, duke nisur nga janari, i duhet që të kalojë një provë jo të lehtë.

Klubi ka vendosur si kusht 6 pikë të plota jashtë Vlorës. Duhet vetëm fitorja në ndeshjet me Apoloninë dhe Valbonën që luhen në transfertë. Asnjë barazim në këto dy sfida nuk do të pranohet. Nëse nuk arrin që t’i marrë pikët e plota në këto takime, klubi ka gjasa të ndërpresë menjëherë marrëdhënien me italianin, por së pari duhet të kalohet sfida më e afërt ndaj Kukësit, që presin në shtëpi. Duke qenë se luhet në Vlorë, fitorja nuk duhet të diskutohet te Flamurtari. Në rast zhgënjimi në këtë takim, gjasat janë që klubi të mos pres më, por të kërkojë dorëheqjen e Agostinelit.

PAKËNAQËSITË – Gazeta zbulon gjithashtu se Sinan Idrizi i ka kërkuar drejtorit Alfred Ferko, që të bëjnë analizë të thellë së bashku me trajnerin Andrea Agostineli për ecurinë e deri tanishme, sidomos që nga ndeshjet kur kanë nisur edhe luhatjet. Mësohet se jo më larg se dje, Idrizi ka qenë “kokë më kokë” me drejtorin Alfred Ferko. Kreu i klubit i ka kërkuar llogari Ferkos që të pyes trajnerin italian se përse zëvendësimet i bën në minutat e fundit. Idrizi i ka thënë drejtorit sportiv, se nuk e kupton se përse Selimi me Kobian u aktivizuan vetëm në minutën e 90-të.

Ashtu sikundër i ka tërhequr vëmendje duke i thënë se kërkon një Flamurtar sulmues dhe jo mbrojtës. Sipas administratorit, trajneri Agostineli duhet të rrezikojë dhe jo të ketë frikë. “Të lutem, pyete trajnerin se përse Selimin dhe Kobian i aktivizoi në fund? Selimi është një lojtar që ka bërë mirë në Kosovë. Pse ky trajner nuk rrezikon, por kthehet në mbrojte? Duam ekipin sulmues që ka traditë Vlora. Pse trajneri zëvendëson dy lojtarë kokë më kokë në sulm? Analizoni gjithçka dhe më ktheni përgjigje zyrtare”, mësohet se i ka thënë Idrizi drejtorit Ferko.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"