Legjenda durrsake, Haxhi Ballgjini: Koha që Teuta të mendojë për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2019 | 17:07

Legjenda durrsake, Haxhi Ballgjini: Koha që Teuta të mendojë për titullin kampion

Teuta e këtij sezoni ka surprizuar të gjithë dhe madje edhe vetë veten e saj. Skuadra bregdetare këtë edicion po “fluturon” në kampionat, duke marrë rezultate tejet pozitive dhe është vetëm katër pikë larg kryesuesve të Partizanit.

Ballgjini

Skuadra ka arritur të ndërthurë në perfeksion eksperiencën e lojtarëve veteranë me talentin e lojtarëve të rinj dhe ekipi ka arritur të krijojë një identitet fituesi.

Një nga legjendat e klubit durrsak Haxhi Ballgjini, ndalet për të folur për ekipin bregdetar në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai tregon kënaqësinë që ndien për ecurinë e ishskuadrës së tij dhe beson se Teuta mund të arrijë të prekë këtë sezon titullin kampion, pasi i ka të gjitha “kartat” e duhura.

Çfarë përshtypjesh keni për Teutën e këtij sezoni dhe a ishte e pritshme kjo ecuri apo befasi për ju?

Të them të drejtën shoh një skuadër të ndërtuar mjaft mirë dhe me etjen për të fituar. Është një ecuri e ndërtuar me kalimin e javëve dhe nuk është befasi. Duke ditur edhe ambiciet e klubit, mendoj se skuadra ka bërë shumë mirë dhe pa dyshim që kam një përshtypje pozitive. Skuadra ka objekttivin e saj për zonën europiane dhe e shoh diçka të mundshme, por pse jo për të hedhur vështrimin edhe më lart.

A i mungon diçka kësaj skuadre, duke u bazuar në dy fazat e para për të vazhduar ecurinë që ka ndërtuar deri tani?

Nuk mendoj aspak që i mungon diçka skuadrës për të qëndruar në të njëjtat shina si në dy fazat e para. Patjetër që ka ende ndeshje dhe rruga është e gjatë. Shoh një grup të konsoliduar dhe duke u lutur që gjithçka të shkojë mirë nga ana taktike, pra të mos ketë dëmtime apo mungesa, them se ky ekip i ka të gjitha “kartat” e duhura për të vazhduar ecurinë pozitive që ka ndërtuar.

sherif kallaku teuta

Çfarë i druheni më shumë për ecurinë e Teutës?

Pa dyshim që kampionati është i fortë, pa shumë diferenca dhe pavarësisht lëvizjeve mbetet sërish një kampionat i tillë. Unë e kam thënë dhe më parë, që këtë vit shoh Partizanin si pretendentin kryesor për titull, pa harruar Kukësin dhe Teutën që mbeten aty dhe janë ende në garë. Unë kam pasur dhe një shprehje, kur luaja vetë futboll në vitet ’90, që nëse do të dish kush do të fitojë kampionatin, shko pyet dhe luaj në Durrës. Mendoj se ka ardhur pikërisht ky moment ku Teuta mund të ketë fatet e këtij kampionati, për të rivalizuar deri në fund kundërshtarët e saj në luftën për titullin kampion.

Si i komentoni dy afrimet e skuadrës në këtë merkato të Frashërit dhe Arapit?

Normalisht janë dy afrime të goditura që skuadra do të përfitojë nga cilësitë e tyre dhe janë dy lojtarë që me eksperiencën e tyre do të ndihmojnë akoma më shumë ekipin në këtë sezon. Kanë përvojën dhe cilësitë e duhura për të dhënë më shumë për Teutën në synimet e klubit.

teuta

Katër pikë larg Partizanit kryesues. Mendoni se Teuta do të guxojë për titullin kampion këtë vit?

Pse jo. Duke parë mënyrën sesi luan skuadra, sesi shprehet në fushën e lojës dhe pikët e marra. Pra rezultatet e tregojnë më së miri se kjo skuadër ka mundësinë jo vetëm për të guxuar, por edhe për të tentuar titullin kampion.

Si e vlerësoni punën e teknikut Shkëmbi deri tani te Teuta?

Puna e teknikut Shkëmbi dhe e stafit të tij flet vetë. Mundi i tyre është përkthyer në rezultate shumë të mira dhe them me plot bindjen se është diçka shumë e mirë nga ana e tij. Dhe besoj se do të vazhdojë të jetë e tillë.

ANARILDO ALIA