Laporta kërkon De Zerbin, kallauz është Guardiola. Problem është klauzola 10 mln
Ndërsa skuadra përballet me pjesën e fundit të sezonit ende me shpresën për titujt e La Liga dhe Champions, në zyrat e Barcelonës po punohet me synimin për të ravijëzuar projektin për sezonin e ardhshëm.
Përveç vlerësimit të financave dhe përmirësimit të tyre, çështja kapitale dhe ku duhet të fillojë epoka “pas Ksavit”, është gjetja e një trajneri të ri, pasi trajneri nga Terrasa nuk ka ndër mend të ndryshojë vendimin e tij për tu larguar nga klubi 30 qershorin e ardhshëm. Deri më sot ka shumë emra që janë hedhur në tavolinë, por ende nuk ka asnjë emër që të ketë unanimitetin e drejtuesve të lartë të klubit. Gardhi po ngushtohet, por ende i papërcaktuar.
Nga njëra anë, është rruga gjermane, e drejtuar nga ish-trajneri i Bajernit dhe kombëtares gjermane, Hansi Flik, si dhe Tomas Tuhel -trajneri aktual i Bajernit. Si Flik, ashtu dhe Tuhel, përveç karrierës dhe arritjeve të tyre -të dy kanë qenë fitues të Ligës së Kampionëve – vijnë me miratimin e Pini Zahavit, agjentit të Levandovskit dhe mikut personal të Laportës. Por në menaxhimin sportiv, emri De Zerbi, trajneri aktual i Brajtonit është shumë i lakuar, sikurse dhe Mikel Arteta apo Luis Enrike, edhe pse këta dy të fundit duken opsione më të paarritshme për shkak të lidhjeve të tyre me Arsenalin dhe PSG-në. Megjithatë, siç u zbulua në “Catalunya Ràdio”, Joan Laporta i ka kërkuar Pep Guardiolës këshilla për ta ndihmuar në zgjedhjen e pasuesit të Ksavit.
Kur Johan Krojf ishte gjallë, presidenti i Barçës e bëri rregull dhe për shkak të miqësisë që i bashkonte, të konsultohej gjithmonë me Johanin për vendimet e rëndësishme sportive që duheshin marrë. Në këtë rast dhe në mungesë të mësuesit, Laporta do t’i drejtohej mikut të tij Pep Guardiola për t’i dhënë mendimin se cili duhet të ishte trajneri i tij i ri. I njëjti informacion, i detajuar nga gazetarët Jordi Grau dhe Santi Giménez, tregoi se Pep Guardiola i është përgjigjur Laportës se i zgjedhuri duhet të jetë italiani De Zerbi. I vetmi handikap që ka trajneri italian është klauzola 10 milionë euro.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"