La pas dëmtimin dhe rikthehet pas tre muajsh, mbrojtësi Disha optimist për Lushnjën
Lushnjarët do të presin këtë javë në stadiumin “Roza Haxhiu”, Bylisin e vendit të dytë. Sipas kalendarit të paracaktuar për fazën e tretë, Lushnja me këtë ndeshje mbyll përballjet me klubet që u renditen në gjashtë vendet e para.
Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani vijon të jetë e pozicionuar e shtata në tabelë me 31 pikë, pasi verdhejeshilët kanë golaverazh më të mirë sesa Burreli, që ka të njëjtën kuotë pikësh me ta. Në transfertën e humbur në shifrat 3-1 me Elbasanin, te verdhejeshilët u rikthye qendërmbrojtësi Roland Disha. 25-vjeçari kaloi një dëmtim, që i kushtoi 3 muaj jashtë fushave të blerta. “Ishte një ndjesi shumë e mirë për mua. Më kishte munguar shumë fusha e lojës. Mezi prisja të aktivizohesha. Tani shpresoj të jap më të mirën time për të ndihmuar ekipin”, tha fillimisht për “Panorama Sport” mbrojtësi dibran i Lushnjës.
Disha u aktivizua si zëvendësues, në takimin që lushnjarët u rikthyen te humbja pas tre rezultatesh pozitive radhazi. Lushnja mbetet një skuadër që pëson shumë, gjashtë gola në dy ndeshje e fundit. “Humbëm pas tre ndeshjeve radhazi me rezultate pozitive. Ishte një takim vërtet shumë i fortë, ku Elbasani është ekip me emër të madh dhe ka bërë një sezon mjaft të mirë duke kryesuar me meritë kampionatin. Lushnja u fut në fushën e lojës për të marrë tri pikë. Loja nisi shumë e mirë dhe shënuam gol të parët. Mendoj se duhet të ishte menaxhuar më mirë si rezultat, por duhet theksuar që kishim edhe mungesa në Elbasan.
Duhet të jemi më të fokusuar, pasi goli i parë dhe i tretë mund të evitoheshin, por futbolli kështu e ka. Duhet të jesh gjatë gjithë kohës në 100% i fokusuar. Shpresoj të bëjmë mirë në ndeshjet që kanë mbetur”, tha mbrojtësi Disha. Pas transfertës me Elbasanin kryesues, lushnjarët do të presin në shtëpi Bylisin e vendit të dytë. “Kjo ndeshje është shumë e fortë. E respektojmë ekipin e Bylisit.
Kundërshtari i radhës ka një ekip të mirë. Lushnja do të futet në fushën e lojës për të dhuruar futboll të bukur. Objektivi ynë janë tri pikët. Për ne janë ndeshje shumë vendimtare dhe çdo njëra prej tyre është një finale më vete. Shpresoj të dalim fitues nga kjo sfidë”, përfundoi mbrojtësi i lushnjarëve, Roland Disha.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"