“Kupën e vlerësojmë”, Gvozdenoviç kërkon tre pikët me Vllazninë: Mendjen e kam te shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2023 | 10:00

“Kupën e vlerësojmë”, Gvozdenoviç kërkon tre pikët me Vllazninë: Mendjen e kam te shkodranët

Në orën 13:30 është programuar të luhet sot ndeshja e parë e Kupës mes Skënderbeut dhe Delvinës, por në Korçë kanë filluar të mendojnë edhe për një mosparaqitje të miqve. Duke qenë se të tilla gjëra kanë ndodhur rëndom në futbollin shqiptar sidomos kur bëhet fjala për kupën, korçarët kanë gati një plan “B” në rast se delvinjotët nuk do të paraqiten për të luajtur këtë takim.

gvozdenovic

Stafi bardhekuq është i bindur se në rast se ndodh diçka e tillë, ekipi do të vijojë me një seancë stërvitore intensive për të mbushur ditën me qëllim që të ruajnë mikrociklin javor. Nuk bëhet fjalë për asnjë test miqësor pasi ndeshja ndaj Vllaznisë është tek dera.

Trajneri i Skënderbeut, paçka nëse paraqitet apo jo Delvina nuk e mendon si nënvlerësim por si një përgjegjësi më e madhe për lojtarët që do të zbresin në fushë për të bërë mirë në këtë ndeshje të parë të këtij kompeticioni.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Skënderbeut argumenton se përse këto ndryshime nuk mund të cilësohen si nënvlerësim ndaj kundërshtarit teksa përgatit ekipin për ndeshjen e sotme.

“Fillojmë një tjetër kompeticion të rëndësishëm për ne dhe normalisht që do ta vlerësojmë. Do të mundohemi që t’i japim hapësirë lojtarëve të tjerë për të çlodhur disi një pjesë të titullarëve pasi kemi ndeshjen ndaj Vllaznisë në fundjavë. Megjithatë jam i bindur që do të bëjmë një paraqitje korrekte. Është fillimi i një kompeticioni dhe nuk mund të them se cilët do të jenë objektivat tona për Kupën. Le ta nisim njëherë mbarë dhe më pas të shohim sesi do të shkojnë gjërat”, – theksoi fillimisht Ivan Gvozdenviç.

VLLAZNIA – I ndalur më pas tek ndeshja ndaj Vllaznisë, trajneri i Skënderbeut kërkoi përqendrim në këto katër ditë të mbetura përgatitjesh teksa për fatin e mirë të gjithë lojtarët i ka në dispozicion për këtë takim.

“Ndaj Vllaznisë do të luajmë të shtunën dhe kemi ende kohë për ta përgatitur si duhet. Ne do të punojmë mirë dhe të jemi gati për ditën e ndeshjes. Për momentin jam i kënaqur, pasi i kam të gjithë lojtarët të gatshëm për këtë takim. Do të presim për të parë gjendjen e Nikajt dhe Pecanit se si do të kthehen nga grumbullimi me kombëtaren U-21 dhe më pas do të flasim më me saktësi. Kam parë seriozitet tek ekipi edhe këto ditë që pushoi kampionati dhe kjo më jep besim se do të vijojmë me rezultatet pozitive”, mbylli prononcimin e tij trajneri i Skënderbeut.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"